E Diel, 1 Nëntor 2026

IKMT shemb ndërtimin pa leje në Karaburun

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe strukturat e Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë Vlorë, ka përfunduar prishjen e një objekti pa leje tip “beach bar” në zonën e Karaburunit.

Kryeinspektori i IKMT-së, Afrim Qendro bëri të ditur se, gjatë kontrollit të kryer nga IKMT u konstatua se subjekti O.Sherifaj kishte ndërtuar struktura të përkohshme, pedana dhe pasazhe me strukturë druri të realizuara mbi trarë mbajtës të vendosur në formacione shkëmbore.

Ndërhyrjet ishin kryer pa dokumentacionin e kërkuar ligjor, në zonë të mbrojtur dhe në vijë bregdetare me sipërfaqe totale 950.18 m2.

Për rastin, IKMT vijoi me marrjen e masës administrative gjobë dhe vendimin për prishjen e objektit të kundërligjshëm.

Pasi iu komunikua vendimi, pak muaj më parë, subjekti filloi çmontimin dhe u dakordësua për një afat prishjeje vullnetare. Ndërkaq, konsumoi edhe procedurën e ankimit pranë Inspektoratit të Përgjithshëm i cili la në fuqi masat e marra nga IKMT-ja.

IKMT u rikthye sot në terren për të kryer prishjen e plotë të objektit.

Për shkak të terrenit të vështirë, aksesit vetëm nga deti dhe pamundësisë për të përdorur eskavator, IKMT bashkërendoi punën me Inspektoratin Ndërtimor të Bashkisë Vlorë për çmontimin dhe largimin e strukturave.

IKMT gjen rastin të falendërojë Bashkinë e Vlorës dhe strukturat e Policisë së Shtetit për bashkëpunimin.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›