IKMT vijon aksionin në Theth, banorët kërkojnë dialog me Qeverinë

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e objekteve pa leje në zonën e Thethit, Shkodër.
Sipas Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, që po zhvillon operacionin me mbështetjen e Policisë së Shtetit, nga e hëna deri sot janë shembur mbi 60 objekte pa leje, raporton Radio Televizioni Shqiptar.
Bëhet fjalë për ndërtesa me beton, si edhe struktura druri e metalike të përshtatura si bujtina. Drejtuesit e IKMT-së sqarojnë se gjatë verifikimeve janë identifikuar edhe dhjetëra ndërtime të tjera të paligjshme, të cilat pritet të hiqen javën e ardhshme.
Por, ditën e sotme një grup burrash dhe grash të zonës u mblodhën në sheshin përballë kishës së fshatit. Një banor i Dukagjinit, Zef Vladaj i bën thirrje qeverisë për dialog dhe të mos vazhdojnë aksionin për prishjen e objekteve pa leje.
“Pse u lanë të bëhen këto ndërtesa. Këto janë tokat tona 500-vjeçare. Unë s’jam pa tapi. Kam bërë thirrje qeverisë për të ndërprerë aksionin se nuk është e arsyeshme. U kam bërë thirrje se ata i kanë gabimet, i kanë parë me sytë e vet që janë bërë, nuk duhet të ishin lejuar të bëheshin. Ato shtëpitë tona nuk janë prish akoma, por do tu vijë dita. Duhet me vlerësuar si tek familja ime. Edhe në Kosovë kur serbi ka ardhur, atje u derdhte gjak, edhe zemra e shqiptarëve derdhte gjak. Anë e mbanë botës, gjithë Dukagjini, Puka, më kanë shkruar që jemi me ju, por gjithmonë duke kërkuar të drejtat tona”, tha një prej banorëve.
Paralelisht me shembjen, mjetet e bashkisë Shkodër po pastrojnë inertet, me synim rikthimin e hapësirave publike në gjendjen e mëparshme dhe ruajtjen e imazhit karakteristik të Thethit, qendra e Parkut Kombëtar të Alpeve.
/e.i//a.f/