E Martë, 3 Nëntor 2026

INDI – Pasagjeri britanik që i mbijetoi rrëzimit të “Air India”: Nuk e di se si jam gjallë

NJU DELHI, 12 qershor /ATSH/- Autoritetet indiane kanë identifikuar një prej të mbijetuarve nga rrëzimi i avionit në Ahmedabad, sipas “Guardian”.

Bëhet fjalë për 40-vjeçarin indiano-britanik, Vishwash Kumar Ramesh – i cili ka folur për mediet pasi mundi t’i shpëtonte tragjedisë.

“Tridhjetë sekonda pas ngritjes, pati një zhurmë të lartë dhe pastaj avioni u rrëzua. E gjitha ndodhi shumë shpejt. Nuk e di se si jam gjallë”, tha ai.

I riu ka marrë dëmtime në gjoks, kokë dhe këmbë. I mbijetuari, 40 vjeç kishte shkuar në Indi për disa ditë për të vizituar familjarët.

Ai po kthehej në Britaninë e Madhe, bashkë me vëllain e tij, 45-vjeçarin me emrin Ajay Kumar Ramesh.

“Kur hapa sytë, kishte kufoma rreth meje. Isha i frikësuar. U ngrita dhe ika me vrap. Kishte mbetje të avionit përreth meje. Dikush më mbajti dhe më futi në një ambulancë ku më çuan më pas në spital”, tha ai.

I riu jeton prej 20 vitesh në Londër, me bashkëshorten dhe fëmijën e tij.

Deri më tani nuk ka të dhëna nëse i vëllai i tij ka shpëtuar apo është mes emrave të viktimave të raportuara nga autoritetet indiane.

Brenda avionit të “Air India” udhëtonin 169 shtetas indianë, 53 britanikë, shtatë portugezë dhe një kanadez.

Autoritetet lokale thanë se numri i viktimave mund të jetë më i madh se numri i personave në bord që ishte 242.

Kjo për arsye se avioni kishte rënë në një zonë të banuar.

Deri më tani numri i viktimave ka arritur mbi 290. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›