INSTAT: 144 azilkërkues në Shqipëri gjatë 2025-ës, rritje me 40 raste

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Gjatë vitit 2025 në Shqipëri janë regjistruar 144 azilkërkues, duke shënuar një rritje me 40 persona krahasuar me vitin 2024, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.
Sipas statistikave, vendet kryesore të origjinës së azilkërkuesve janë Egjipti me 39,6%, Afganistani me 11,8% dhe Palestina me 9,7%.
Aplikimet për azil janë përqendruar kryesisht gjatë muajve gusht, shtator dhe tetor, të cilët së bashku përbëjnë 63,2% të totalit të kërkesave për azil gjatë vitit 2025.
Gushti rezulton muaji me peshën më të lartë të aplikimeve.
Referuar INSTAT në të njëjtën periudhë, 495 persona kanë fituar shtetësinë shqiptare, prej të cilëve 306 e kanë rifituar dhe 189 e kanë fituar për herë të parë, ndërsa 173 persona kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare.
Sipas vendeve të origjinës, shumica e personave që kanë fituar shtetësinë shqiptare vijnë nga Kosova me 56,1%, Turqia me 20,1%, Maqedonia e Veriut dhe Italia me nga 4,8% secila.
Të dhënat tregojnë se grupmosha 30–39 vjeç përbën peshën më të madhe si të fitimit ashtu edhe të lënies së shtetësisë shqiptare.
/e.xh/j.p/