Demo: Në bashkitë e mëdha vijon nevoja për investime të konsiderueshme për furnizimin me ujë

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo tha sot se reforma në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve kërkon përmirësim të mëtejshëm të menaxhimit administrativ dhe të burimeve në kompanitë e ujësjellësve në të gjithë territorin.
Në një konferencë për shtyp me gazetarët, Demo deklaroi se nevojiten investime serioze për të garantuar furnizim cilësor me ujë të pijshëm, pavarësisht përmirësimeve të realizuara gjatë dekadës së fundit.
Sipas tij, mbi 10 bashki kanë shënuar përmirësim të ndjeshëm në furnizimin me ujë të pijshëm, ndërsa bashki të tjera po i afrohen këtij objektivi.
“Në bashkitë e mëdha, vijon nevoja për investime të konsiderueshme, të cilat mbajnë një peshë të rëndësishme në buxhet. Institucionet qendrore po bashkëpunojnë me bashkitë për të identifikuar ndërhyrjet e nevojshme dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimit në tërësi”, tha ai.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po shqyrton mundësitë për hartimin e një pakete të saktë ndërhyrjesh, e cila do të adresojë nevojat e zonave të ndryshme të vendit. Në kuadër të programit “Rilindja 2.0”, pritet të prezantohen projekte që synojnë t’i japin zgjidhje standardeve të furnizimit me ujë deri në vitin 2030”, vijoi Demo, ndërsa theksoi se reforma e ujit konsiderohet një nga shtyllat kryesore të këtij programi.
/e.i/j.p/