INSTAT: Mbi 44% e ndërmarrjeve sjellin inovacion, kryeson sektori i shërbimeve

TIRANË, 26 maj/ATSH/ Rreth 44,3% e ndërmarrjeve me 10 ose më shumë të punësuar në Shqipëri kanë prezantuar inovacione në produkte ose procese biznesi, gjatë periudhës 2022-2024, duke shënuar një rritje të lehtë nga 42,9% që ishte në periudhën e mëparshme.
Instituti i Statistikave (INSTAT), publikoi sot statistikat e inovacionit në ndërmarrje, 2022 – 2024.
Gjetjet tregojnë se inovacioni është më i përhapur në sektorin e shërbimeve, ku 46,7% e ndërmarrjeve raportojnë aktivitete inovative, ndërsa në industri kjo shifër është 41,6%.
Në shërbime, aktiviteti më i lartë i inovacionit vërehet në informacion dhe komunikacion me 67,9%, si edhe në aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 55,1%.
Në industri, më të avancuara rezultojnë sektori i energjisë me 45% dhe industria përpunuese me 43,3%.
Ndikim të qartë ka edhe madhësia e ndërmarrjeve, ku kompanitë e mëdha me mbi 250 të punësuar kryesojnë me 66,4% të angazhimit në inovacion, të ndjekura nga ndërmarrjet e mesme me 54,3%, ndërsa ato të vogla arrijnë në 40,9%.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se inovacioni lidhet ngushtë me performancën ekonomike, pasi ndërmarrjet që zhvillojnë aktivitete inovative përbëjnë 62,1% të shitjeve neto dhe 57,8% të totalit të punësimit në ndërmarrjet e vrojtuara.
Po ashtu, 32,1% e ndërmarrjeve bashkëpunojnë me partnerë të tjerë për zhvillimin e inovacionit, 30,1% investojnë në teknologji të reja, ndërsa 18,4% zhvillojnë aktivitete kërkim-zhvillimi, duke reflektuar rritje të fokusit te modernizimi dhe teknologjia në ekonomi.

/a.f/