INSTAT kërkon 60 milionë lekë shtesë në buxhetin 2027 për Censin në Bujqësi - ATSH -

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Instituti i Statistikave (INSTAT) kërkon 60 milionë lekë shtesë në buxhetin e vitit 2027 për realizimin e Censit të Bujqësisë, me fokus investimet në infrastrukturën teknologjike dhe incentivimin e burimeve njerëzore që do të angazhohen në këtë operacion statistikor.
Drejtorja e përgjithshme e INSTAT-it, Lantona Sado, gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. theksoi se viti 2027 duhet ta gjejë institucionin të angazhuar me një sërë aktivitetesh përgatitore, duke nisur nga investimet teknologjike deri te identifikimi, rekrutimi dhe trajnimi i stafit në terren.
Sipas saj, për këto përgatitje janë parashikuar 25 milionë lekë për incentivimin e punonjësve të institucionit që do të përfshihen në procesin e Censit të Bujqësisë, si dhe rreth 35 milionë lekë për investime në infrastrukturën teknologjike.
“Sigurimi i infrastrukturës, paralelisht, adreson dhe një nga rekomandimet që Kuvendi ka bërë për Institutin e Statistikës, që të forcojë sistemet dhe infrastrukturën teknologjike”, u shpreh Sado.
Ajo nënvizoi se alokimi në kohë i fondeve për Censin e Bujqësisë është vendimtar për realizimin e aktiviteteve, veçanërisht për procedurat e prokurimit të infrastrukturës teknike, rekrutimin e stafit dhe organizimin e fushatave informuese në kuadër të censusit.
“Është e domosdoshme alokimi në kohë i fondeve të nevojshme, në mënyrë që INSTAT-in fillimi i vitit që vjen ta gjejë me disponueshmërinë e buxhetit për të filluar prokurimet dhe procedurat e tjera të rekrutimit, përfshirë edhe fushatat që organizohen në kuadër të censusit”, deklaroi drejtorja e INSTAT.
Sado bëri të ditur se INSTAT ka paraqitur një kërkesë buxhetore prej rreth 2,3 miliardë lekësh për vitin 2027, ndërsa, sipas informacionit të marrë nga institucionet përkatëse, parashikohet një alokim prej 1,8 miliardë lekësh.
Në këtë kontekst, ajo kërkoi mbështetjen e deputetëve për sigurimin e fondeve të nevojshme, duke e cilësuar Censin e Bujqësisë si një operacion madhor statistikor, përgatitjet e të cilit kërkojnë planifikim dhe financim në kohë.
/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.