Parku fotovoltaik i Karavastasë, deputetët dhe ERE njihen me teknologjinë dhe kapacitetet prodhuese - ATSH -
TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, së bashku me anëtarë të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), zhvilluan një vizitë në parkun fotovoltaik të Karavastasë, një prej parqeve fotovoltaike më të mëdha në vend, me qëllim njohjen nga afër me mënyrën e funksionimit dhe menaxhimit të këtij lloji investimi në sektorin energjetik.
Gjatë vizitës, deputetët u njohën nga afër me procesin e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së parkut, planet e menaxhimit, investimet në sistem, mbrojtjen e biodiversitetit, investimet në komunitet, nismat lokale dhe sociale, si dhe përdorimin e inteligjencës artificiale dhe masat për sigurinë kibernetike.
Gjithashtu, ata u informuan mbi pajisjet, teknologjinë dhe kapacitetet prodhuese të parkut.
Deputetët parashtruan pyetje dhe zhvilluan bashkëbisedime me përfaqësuesit e projektit, duke u ndalur edhe te risitë dhe ndryshimet që sjell ligji i ri për energjinë elektrike.
Diversifikimi i burimeve të energjisë së rinovueshme si dhe rritja e kapaciteteve energjetike është një ndër objektivat kryesore, duke pasur në fokus objektivin që brenda vitit 2030 Shqipëria të jetë një vend eksportues neto i energjisë.
/k.s/r.e/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
