IRAN – Araghchi: Marrëveshja me SHBA-në shumë pranë finalizimit

TEHERAN, 12 qershor /ATSH/- Një marrëveshje mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara te Amerikës, për t’i dhënë fund luftimeve, është pranë finalizimit dhe përfshin rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, deklaroi sot ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, raportoi BBC.
Në një intervistë për televizionin shtetëror iranian, Araghchi tha se memorandumi i mirëkuptimit parashikon gjithashtu heqjen e bllokadës amerikane ndaj Iranit, ndërsa negociatat për programin bërthamor iranian, do të zhvillohen në një fazë të mëvonshme.
Zyrtarët amerikanë konfirmuan disa nga elementet e marrëveshjes, duke theksuar se përfitimet ekonomike për Teheranin, do të varen nga përmbushja e detyrimeve nga Irani.
Konflikti nisi më 28 shkurt, pas sulmeve amerikane dhe izraelite në territorin iranian.
Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe vendeve aleate të SHBA-së, në Gjirin Persik, ndërsa praktikisht mbylli Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme, për transportin global të naftës dhe gazit të lëngshëm.
Megjithëse në prill u arrit një armëpushim, SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer herë pas here sulme të kufizuara, përfshirë dy raunde goditjesh reciproke gjatë kësaj jave.
Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi dje se kishte anuluar sulmet e planifikuara kundër Iranit, pasi negociatorët kishin arritur një “marrëveshje të madhe”, e cila pritet të nënshkruhet së shpejti.
Sipas zyrtarëve amerikanë, marrëveshja parashikon rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit, në këmbim të heqjes së bllokadës ndaj transportit detar iranian.
Më pas, do të nisë një periudhë 60-ditore negociatash, e përqendruar te uraniumi i pasuruar iranian, material kyç për prodhimin e armëve bërthamore.
Uashingtoni kërkon që uraniumi i pasuruar, të shkatërrohet dhe më pas të largohet nga Irani, ndërsa mekanizmi i saktë për zbatimin e këtij procesi, mbetet ende për t’u përcaktuar.
Në aspektin ekonomik, SHBA-ja theksoi se nuk do të ketë fonde apo asete të zhbllokuara paraprakisht.
Lehtësimi i sanksioneve dhe rikthimi gradual i Iranit në ekonominë globale, do të ndodhë vetëm pasi të verifikohet zbatimi i angazhimeve nga ana e Teheranit.
Marrëveshja kërkon gjithashtu që Irani të ndalojë mbështetjen financiare, për grupet aleate në rajon, përfshirë Hezbollahun dhe organizata të tjera të lidhura me Teheranin, në Lindjen e Mesme.
Pakistani, i cili ka luajtur rol ndërmjetësues në negociata, bëri të ditur se memorandumi i mirëkuptimit, është dakordësuar dhe pret vetëm finalizimin.
Edhe Katari ka kontribuar në përpjekjet për ndërmjetësim.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm iranian u shpreh optimist se marrëveshja mund të nënshkruhet brenda ditëve të ardhshme.
“Menjëherë sapo të përfundojnë fazat e fundit të negociatave, marrëveshja do të nënshkruhet dhe do të bëhet publike. Kjo mund të ndodhë në ditët në vijim”, deklaroi Araghchi.
Ai theksoi se pika e parë e memorandumit është heqja e bllokadës detare amerikane ndaj Iranit, ndërsa paralajmëroi se administrimi i Ngushticës së Hormuzit “nuk do të jetë më si më parë”.
Izraeli nuk është pjesë e negociatave, të cilat synojnë zgjatjen e armëpushimit dhe hapjen e bisedimeve për çështje kyçe, përfshirë programin bërthamor iranian.
Megjithatë, Araghchi tha se dokumenti parashikon edhe përfundimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, një pikë për të cilën raportimet amerikane kanë dhënë versione të ndryshme.
Kryeministri izraelit ka deklaruar ndërkohë, se Izraeli do të vazhdojë të godasë Hezbollahun nëse grupi vijon sulmet ndaj veriut të vendit. / /a.i/