E Martë, 3 Nëntor 2026

IRAN -Teherani: Bisedimet bërthamore me SHBA-në janë të pakuptimta

TEHERAN, 14 qershor /ATSH – ANSA/ – Negociatat me Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje bërthamore janë të pakuptimta në dritën e sulmeve të Izraelit ndaj Iranit, deklaroi Esmaeil Baghaei, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane.

“Shtetet e Bashkuara vepruan në një mënyrë që i bëri bisedimet të padobishme”, theksoi Baghaei.

”Nuk mund të thuash se po negocion dhe në të njëjtën kohë të lejosh Izraelin të sulmojë territorin iranian”, shtoi ai.

Presidenti amerikan, Donald Trump nga ana e tij deklaroi se ai dhe ekipi i tij dinin gjithçka rreth planit të Izraelit për të sulmuar Iranin dhe se e kishte paralajmëruar Teheranin se duhej të bënte një marrëveshje për programin e tij bërthamor.

“Ne dinim gjithçka dhe unë u përpoqa ta shpëtoja Iranin nga poshtërimi dhe vdekja. U përpoqa t’i shpëtoja sepse do të doja shumë të ishte arritur një marrëveshje”, tha Trump për “Reuters”.

“Ata ende mund të arrijnë një marrëveshje, megjithatë, nuk është shumë vonë”, shtoi ai.

Trump e kishte nxitur vazhdimisht kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të vononte sulmin izraelit – për t’i dhënë diplomacisë më shumë kohë – megjithëse vetë presidenti amerikan kishte kërcënuar se do të bombardonte Iranin nëse bisedimet bërthamore dështonin.

Trump tha se u kishte dhënë iranianëve 60 ditë kohë për të arritur një marrëveshje dhe se sot ishte dita e 61.

Irani ka refuzuar këmbënguljen e SHBA-së për të hequr dorë nga pasurimi i uraniumit.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›