E Martë, 3 Nëntor 2026

Tavan për kreditë e pasurive të paluajshme, Shehu për ATSH-në: Nuk cenohet aksesi i publikut në financim

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Duke nisur nga 1 korriku i këtij viti bankat do të zbatojnë masat e BSH-së që përcaktojnë se tavani për vlerën e kredisë ndaj kolateralit për kreditë në monedhën lek do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë.

Klodion Shehu, drejtori i Departamentit të Stabilitetit Financiar në BSH në një prononcim për ATSH-në, deklaroi se “këto masa që zbatohen mbi kredinë e re, nuk priten të ndikojnë masën dërrmuese të atyre që do të kërkojnë kredi për pasuri të paluajtshme rezidenciale”.

Sipas tij, tregu i pasurive të paluajtshme është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe për stabilitetin financiar të vendit.

“Në Shqipëri tregu i pasurive të paluajtshme rezidenciale është përballur me një  kërkesë të qëndrueshme dhe rritje të çmimeve në vitet e fundit, të përshpejtuara gjatë vitit 2024. Kjo ecuri ka reflektuar rritjen e të ardhurave të familjeve, normat konkurruese të interesit dhe rritjen e kreditimit nga sektori bankar”, tha Shehu.

Ai tha se, këto masa kanë për qëllim parandalimin e rreziqeve që mund të akumulohen në këtë fazë pozitive të ciklit ekonomik dhe financiar, në formën e rritjes së paqëndrueshme të çmimeve të pasurive të paluajtshme rezidenciale dhe të borxhit të familjeve, dhe që mund të cënojnë cilësinë e ekspozimeve të bankave në tregun e pasurive të paluajtshme rezidenciale.

Banka e Shqipërisë ka vendosur zbatimin e kufijve të sipërm në dy tregues që përcaktojnë standardet e kredisë së re për pasuri të paluajtshme rezidenciale.

Më konkretisht: kufiri i sipërm (tavani) në treguesin  “vlerë e kredisë ndaj vlerës së kolateralit” për kreditë në monedhën Lek do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë ose të dhënë me qera, ndërsa në valutë do të jetë përkatësisht 75% dhe 70% (në kushtet kur këtyre kredive iu shtohet edhe rreziku i kursit të këmbimit).

Tavani në treguesin “Shërbimi i borxhit (vlera e këstit të kredisë) ndaj të ardhurave (të kredimarrësit)” për kreditë në monedhën Lek do të jetë 40% për blerjen e shtëpisë së parë dhe 35% për blerjen e një shtëpie të dytë ose për dhënie me qira. Për kreditë në valutë ky kufi përcaktohet në 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpitë e tjera.

Shehu bërit të ditur se, “në raste specifike që gjykohen nga vetë banka, ajo mund t’i kapërcejë këto kufizime duke u kujdesur që në total, vlera e kredive te reja ku këto kufizime janë kapërcyer të jetë më e vogël se 15% e vlerës së kredisë së re për pasuri të paluajtshme rezidenciale të dhëna gjatë tremujorit”.

Sipas tij, në tërësi, kalibrimi i vlerave për nivelet tavan në treguesit e mësipërm, mënyra e strukturimit të tyre dhe aftësia e bankave për t’iu përshtatur atyre, si edhe mundësia e dhënë për kapërcimin e tyre deri në një kuotë të caktuar në rast nevoje, sigurojnë që aksesi i publikut në financim për këtë lloj kredie të mos cënohet.

Gjithashtu deklaroi Shehu, aftësia e mirë paguese e familjeve kredimarrëse ruhet dhe nivelet e kreditimit të mbeten të qëndrueshëm e të shëndetshëm. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›