E Diel, 1 Nëntor 2026

ITALI – ”Apple” gjobitet 100 milionë euro për abuzim me pozicionin dominues

ROMË, 22 dhjetor /ATSH-AFP/ – Autoriteti Italian i Konkurrencës (AGCM) njoftoi sot se ka gjobitur kompaninë ”Apple” me më shumë se 98,6 milionë euro për “abuzim me pozicionin dominues”.

Sipas autoritetit italian, ”Apple” shkel ligjin e konkurrencës në tregun e zhvilluesve të aplikacioneve, thuhet në një deklaratë.

“Në këtë treg, ‘Apple’ mban një pozicion absolut dominues përmes App Store-it të saj”, deklaroi AGCM.

Autoriteti italian shtoi më tej se ”Apple” vendosi kushte tepër kufizuese në lidhje me privatësinë e përdoruesit në aspektin e konkurrencës së aplikacioneve.

”Këto kushte të vendosura nga ‘Apple’ janë të njëanshme, shkelin interesat e partnerëve të biznesit të ‘Apple’ dhe janë joproporcionale me objektivin e mbrojtjes së privatësisë”, deklaroi autoriteti italian i konkurrencës.

”Apple”, nga ana e saj, tregoi në një njoftim për shtyp se “nuk pajtohet fuqimisht me vendimin e autoritetit italian të konkurrencës” dhe njoftoi se do ta apelojë vendimin.

Kompania pohon se rregullat e saj të mbrojtjes së privatësisë “zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë zhvilluesit, përfshirë ‘Apple’, dhe janë miratuar nga klientët dhe autoritetet e mbrojtjes së të dhënave në të gjithë botën”./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›