E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Danimarka do të thërrasë ambasadorin e SHBA-së pasi Trump emëroi të dërguarin e Groenlandës

KOPENHAGË, 22 dhjetor /ATSH/- Danimarka njoftoi sot se do të thërriste ambasadorin e SHBA-së pasi presidenti amerikan, Donald Trump emëroi një të dërguar të posaçëm në Groenlandë, i cili menjëherë u zotua se do ta bënte territorin autonom danez pjesë të SHBA-së”, sipas “France24”.

Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, Trump ka thënë vazhdimisht se SHBA-ja kishte nevojë për ishullin e pasur me burime Arktike për arsye sigurie duke refuzuar të përjashtonte përdorimin e forcës për ta siguruar atë.

Trump emëroi dje guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar të posaçëm në Groenlandë.

Ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen tha sot se ishte “thellësisht i zemëruar” nga ky veprim dhe paralajmëroi Uashingtonin të respektonte sovranitetin e Danimarkës.

“Landry e kupton se sa thelbësore është Groenlanda për sigurinë tonë kombëtare dhe do të avancojë fuqishëm interesat e vendit tonë për sigurinë, mbijetesën dhe sigurinë e aleatëve tanë, dhe në fakt, të botës”, tha presidenti amerikan, Trump në një postim në platformën “Truth Social”.

Landry iu përgjigj drejtpërdrejt Trump në një postim në X: “Është një nder t’ju shërbej në këtë pozicion vullnetar për ta bërë Groenlandën pjesë të SHBA-së”.

Ministri i Jashtëm danez tha për televizionin TV2 se emërimi dhe deklaratat ishin “krejtësisht të papranueshme” dhe se ministria e tij do të thërriste ambasadorin e SHBA-së në ditët në vijim për të marrë një shpjegim.

“Për sa kohë që kemi një mbretëri në Danimarkë që përbëhet nga Danimarka, Ishujt Faroe dhe Groenlanda, nuk mund të pranojmë që ka nga ata që minojnë sovranitetin tonë”, tha ai.

Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen dhe kryeministrja daneze, Mette Frederiksen lëshuan një deklaratë të përbashkët – duke kujtuar se kufijtë kombëtarë dhe sovraniteti i shteteve ishin të rrënjosura në të drejtën ndërkombëtare.

“Nuk mund të aneksosh një vend tjetër. As me një argument për sigurinë ndërkombëtare. Ne presim respekt për integritetin tonë të përbashkët territorial”, thanë ata.

Në një postim në “Facebook” drejtuar banorëve të Groenlandës, Nielsen tha se emërimi i një të dërguari të posaçëm nuk ndryshonte asgjë për ata.

“Ne do ta përcaktojmë vetë të ardhmen tonë. Groenlanda është vendi ynë”, shkroi ai, duke shtuar se Groenlanda i përkiste banorëve të Groenlandës.

Komisioni Evropian shprehu sot mbështetjen e tij të fortë për Danimarkën.

“Ruajtja e integritetit territorial të Mbretërisë së Danimarkës, sovranitetit të saj dhe paprekshmërisë së kufijve të saj është thelbësore për Bashkimin Evropian”, u tha gazetarëve Anouar El Anouni, një zëdhënës i shërbimit diplomatik të bllokut.

Shumica dërrmuese e 57,000 banorëve të Groenlandës duan të bëhen të pavarur nga Danimarka, por nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas një sondazhi.

Udhëheqësit e Danimarkës dhe Groenlandës kanë këmbëngulur vazhdimisht se ishulli i madh nuk është në shitje dhe se do të vendosë vetë për të ardhmen e vet.

“Emërimi konfirmon interesin e vazhdueshëm amerikan në Groenlandë,” tha ministri i Punëve të Jashtme, Lokke Rasmussen në një deklaratë.

“Megjithatë, ne këmbëngulim që të gjithë – përfshirë SHBA-në – duhet të tregojnë respekt për integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës”, shtoi ai.

Groenlanda, e vendosur midis Amerikës së Veriut dhe Evropës, është një vend strategjik në interes të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë në Arktik, ndërsa gara për metalet e rralla nxehet dhe shkrirja e akullit e shkaktuar nga ngrohja globale po hap rrugë të reja transporti detar.

Vendndodhja e Groenlandës e vendos atë gjithashtu në rrugën më të shkurtër për raketat midis Rusisë dhe SHBA-së.

SHBA-ja ka bazën e saj ushtarake “Pituffik” në Groenlandë, një pjesë thelbësore e infrastrukturës së mbrojtjes nga raketat të Uashingtonit. Gjithashtu, ajo hapi një konsullatë në ishull në qershor 2020.

Vendosmëria e Trump për të marrë Groenlandën ka tronditur Danimarkën, një anëtare themeluese e NATO-s, e cila ka luftuar përkrah Amerikës në luftërat e saj në Afganistan dhe Irak.

Në janar, Danimarka njoftoi planin prej 2 miliardë dollarësh për të rritur praninë e saj ushtarake në rajonin e Arktikut. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›