ITALI – Policia arreston 17-vjeçarin që po planifikonte një masakër në shkollë

PERUXHIA, 30 mars /ATSH-ANSA/ – Policia italiane tha sot se njësia e tyre e operacioneve speciale, ROS, kishte arrestuar një 17-vjeçar që banonte në Peruxhia, i cili dyshohet se po planifikonte një masakër në shkollë.
Hetuesit besojnë se djali po punonte për të prodhuar armë dhe pajisje kimike për t’i përdorur në sulm.
I dyshuari ndoqi një grup në Telegram me përmbajtje mbi superioritetin e supozuar të “racës ariane”.
Ai përballet me akuza penale për posedim materialesh për qëllime terroriste dhe për propagandë dhe nxitje për të kryer krime bazuar në diskriminim racor, etnik dhe fetar.
Rasti vjen mes shqetësimit të përhapur në lidhje me dhunën midis të rinjve në Itali.
Javën e kaluar një djalë 13-vjeçar goditi me thikë një mësuese 57-vjeçare të frëngjishtes në qafë dhe bark në një shkollë në qytetin Treskore Balneario të provincës së Bergamos, duke e plagosur rëndë.
Djali, i cili mbante veshur një bluzë me shkronjën “V” (”vendetta” – ”hakmarrje”), thuhet se e filmoi sulmin në celularin e tij dhe e transmetoi drejtpërdrejt në median sociale./ a.jor.