E Diel, 1 Nëntor 2026

IZRAEL – Dy të vrarë dhe disa të plagosur pas një sulmi terrorist

TEL AVIV, 26 dhjetor /ATSH-DPA/- Dy persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në një sulm terrorist në Izraelin verior, raportoi sot media izraelite, duke cituar burime policore.

“Një sulmues palestinez e përplasi makinën e tij me një grup këmbësorësh pranë Beit She’an, duke vrarë një burrë 68-vjeçar dhe duke plagosur të paktën dy persona të tjerë, përfshirë një djalë 16-vjeçar”, thanë zyrtarët.

Sulmuesi më pas vrau një grua 18-vjeçare me thikë në hyrje të Ein Harod pranë qytetit Afula. Një roje sigurie që ndodhej rastësisht i pranishëm qëlloi dhe plagosi sulmuesin.

Policia më vonë shkoi në një spital për të arrestuar të dyshuarin 37-vjeçar, i cili tha se ishte një palestinez nga Bregu Perëndimor.

Sipas ushtrisë, i dyshuari kishte qenë ilegalisht në Izrael për disa ditë.

Pavarësisht një rritjeje të përgjithshme të dhunës që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, incidente të tilla fatale janë më pak të zakonshme në Izraelin verior sesa në Bregun Perëndimor, ku rreth 700 000 kolonë izraelitë jetojnë midis 3 milionë palestinezëve në vendbanime të konsideruara të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›