IZRAEL – Ministri i Jashtëm, Gideon Sa’ar përshëndet projektrezolutën e Shqipërisë për Iranin

TEL AVIV, 17 mars /ATSH/ – Në një reagim në platformën X, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar ka përshëndetur miratimin e projektrezolutës nga Kuvendi i Shqipërisë për të shpallur Iranin shtet sponsor të terrorizmit.
”E përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe Parlamentin e Shqipërisë për rezolutën historike të miratuar sot, duke e shpallur Republikën Islamike të Iranit një shtet mbështetës të terrorizmit”, shkruan Sa’ar në X.
”Sipas fjalëve të rezolutës: Terrorizmi në të gjitha format e tij përbën një nga kërcënimet më serioze për shoqëritë demokratike”, shton ai.
”Ky është një tjetër demonstrim i dimensionit të qartë moral në politikën e jashtme të Shqipërisë”, përfundon ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot projektrezolutën e propozuar nga Partia Socialiste, për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si shtet sponsor i terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste si dhe shpalljen e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë terroriste./ a.jor.