IZRAEL – Netanyahu: Do të eliminojmë Hamasin deri në themelet e tij

TEL AVIV, 3 korrik, /ATSH-DPA/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha dje se nuk do të ketë “më Hamas” në Gazën e pasluftës, pasi organizata militante palestineze thuhet se po shqyrton propozimin e ri të ndërmjetësimit për një armëpushim në territor.
“Po ju them – nuk do të ketë më Hamas. Ne nuk do të kthehemi pas. Ka mbaruar”, tha Netanyahu në një fjalim në qytetin jugor izraelit, Ashkelon.
“Ne do t’i lirojmë të gjithë pengjet tona. Ne do ta eliminojmë Hamasin deri në themelet e tij”, shtoi ai.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi të martën se Izraeli kishte rënë dakord për kushtet e nevojshme për një armëpushim 60-ditor në konflikt, i cili tani është në muajin e 21-të.
Gjatë kësaj kohe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punonin me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës. Trump i bëri thirrje Hamasit të binte dakord me marrëveshjen.
Hamasi tha dje se do ta shqyrtonte propozimin nga ndërmjetësit.
Ministri i Jashtëm Gideon Saar tha se shumica e qeverisë izraelite e mbështeste marrëveshjen për Gazën që përfshinte lirimin e pengjeve.
“Nëse na lind mundësia, nuk duhet ta humbasim!”, shkroi Saar në X.
Netanyahu do të takohet me Trump në Uashington javën e ardhshme. //a.i/