E Diel, 1 Nëntor 2026

IZRAEL – Netanyahu: Kemi goditur infrastrukturën iraniane

TEL AVIV/TEHERAN, 7 prill /ATSH-DPA/ – Forcat ajrore izraelite kanë sulmuar linja hekurudhore dhe ura në Iran, të cilat pretendohet se përdoreshin nga Garda Revolucionare Islamike (IRGC), deklaroi sot kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Sipas tij, kjo forcë elitare përdor infrastrukturën për të transportuar lëndë të para për armë, vetë armët dhe operativët që kryejnë sulme kundër Izraelit, SHBA-së dhe vendeve të rajonit, si dhe për të shtypur popullin iranian.

Ushtria izraelite bëri të ditur se ka goditur tetë ura në Iran që shërbenin për transportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, përfshirë në Teheran, Karaj, Tabriz, Kashan dhe Qom. Sipas saj, janë marrë masa paraprake për të minimizuar dëmet ndaj civilëve.

Këto pretendime nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur dhe vijnë vetëm disa orë përpara afatit të vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump për një marrëveshje me Iranin, në të kundërtën e së cilës priten bombardime edhe më intensive.

Kryeministri Netanyahu deklaroi gjithashtu se forcat izraelite po “shtypin regjimin terrorist në Iran me më shumë forcë dhe intensitet”, duke theksuar se sulmet nuk kanë për qëllim popullin iranian, por dobësimin e regjimit që, sipas tij, e ka shtypur vendin për 47 vite.

“Ky nuk është më i njëjti Iran dhe as i njëjti Izrael. Ne po ndryshojmë balancën e fuqisë nga një skaj në tjetrin”, shtoi Netanyahu, duke iu referuar luftës së nisur më 28 shkurt nga Izraeli dhe SHBA-ja./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›