E Hënë, 2 Nëntor 2026

IZRAEL – Ushtria konfirmon sulmin ndaj centralit bërthamor iranian të Isfahanit

TEL AVIV, 21 qershor /ATSH-DPA/ – Ushtria izraelite deklaroi sot se sulmoi një strukturë bërthamore në qytetin iranian të Isfahanit, ku ndodhet pjesa më e madhe e infrastrukturës bërthamore të vendit.

”Sulmet e natës shënjestruan objektet e prodhimit të centrifugave të uraniumit në central”, tha të enjten një përfaqësues ushtarak.

Infrastruktura bërthamore e Isfahanit u sulmua në ditën e parë të fushatës ushtarake në shkallë të gjerë të Izraelit kundër Iranit, e cila filloi më shumë se një javë më parë.

”Sulmet e fundit kishin për qëllim të shkaktonin dëme të mëtejshme në central”, tha ushtria izraelite.

Sipas radios shtetërore të Iranit, duke cituar një zyrtar sigurie, nuk u liruan substanca të dëmshme pas sulmeve në centralin bërthamor.

Ai i bëri thirrje popullsisë të qëndrojë larg objektit.

Zyrtari tha se Izraeli sulmoi edhe objektiva të tjerë në Iranin qendror, pa raportuar viktima.

Isfahani, rreth 350 kilometra në jug të Teheranit, është shtëpia e pjesëve thelbësore të programit bërthamor të Iranit.

Sipas kreut të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), katër ndërtesa në vend janë dëmtuar deri më tani nga sulmet izraelite.

Këto përfshijnë një laborator kimik, një fabrikë për përpunimin e xehes së uraniumit, një fabrikë për prodhimin e karburantit të reaktorit dhe një fabrikë për prodhimin e metalit të uraniumit që ishte ende në ndërtim e sipër./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›