E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: 100 milionë lekë për mbështetjen e SME-ve

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme tre projektligje të rëndësishme që i adresohen Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Në një konferencë për media, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se projektligji “Për identifikimin elektronik të shërbimeve të besuara dhe krijimin e portofolit të identitetit digjital”, vjen në vazhdën e integrimit europian.

Ajo theksoi se miratimi i projektligjit ofron siguri ligjore dhe krijon kushte për një përdorim më të sigurt të dokumenteve, duke mbyllur përfundimisht çështjen e shkresave fizike.

“Ne synojmë që brenda një kohe të afërt të eliminojmë të gjitha dokumentet dhe firmat në formë fizike, duke e çuar administratën drejt një shërbimi plotësisht digjital dhe të sigurt për qytetarët dhe bizneset”, deklaroi Ibrahimaj.

Ibrahimaj, tha se akti i dytë i miratuar lidhet me procesin e integrimit europian dhe specifikon rregulloren e shqyrtimit të investimeve të huaja në sektorët kritikë të ekonomisë shqiptare, duke përmbyllur të gjitha pikët e kapitullit 30.

“Rregullorja parashikon që përmes një bordi ndërministror do të shqyrtojmë të gjitha investimet që vijnë nga vende jo anëtare të BE-së, duke përfshirë sektorët e medias dhe mbrojtjes. Me anëtarësimin e vendit në BE, ky bord do të vazhdojë të shqyrtojë të gjitha kërkesat për investime të huaja në ekonominë e vendit”, deklaroi Ibrahimaj.

Ajo shtoi se akti i tretë i miratuar ka të bëjë me mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME). Përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, qeveria ka akorduar një fond prej 100 milionë lekësh përmes AIDA-së, për të mbështetur zhvillimin dhe rritjen e këtyre ndërmarrjeve.

“Ky fond do të ofrojë mundësi financimi dhe mbështetje për SME-të, duke kontribuar në rritjen e ekonomisë dhe nxitjen e investimeve lokale”, theksoi ministrja.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›