Ibrahimaj: 100.000 m² tokë publike në përdorim, u mundësuan investime 420 milionë euro

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se gjatë veprimtarisë së saj, Korporata Shqiptare e Investimeve ka dhënë në përdorim rreth 100.000 m² tokë, duke mundësuar investime me vlerë totale rreth 420 milionë euro, nga të cilat 44 milionë euro janë kontribute për korporatën.
Ibrahimaj gjatë fjalës së saj në Kuvend, theksoi se akuzat për “kapje të shtetit” apo favorizim të interesave të caktuara nuk lidhen me procedurat ligjore dhe VKM-të në fuqi. Ajo theksoi se korporata, e krijuar në vitin 2019 me ekspertë ndërkombëtarë dhe në bashkëpunim me fonde zhvillimi, ka për qëllim që shteti të jetë aktiv në zhvillimin e pronës publike dhe të rrisë vlerën e saj.
“Qëllimi është që asetet publike të përdoren për gjenerimin e të ardhurave nga shteti dhe për të nxitur investime strategjike” tha ministrja, duke përmendur edhe modele të ngjashme të qeverisë në sektorët e mbrojtjes dhe financave.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se kjo veprimtari është pjesë e modelit të ri të zhvillimit të pronës publike, ku shteti sillet si partner sipërmarrës dhe përfiton nga 35 deri në 50% e sipërfaqes së zhvilluar. Sipas saj, modeli i AIC-së kthen shtetin në investitor aktiv, duke nxitur zhvillime strategjike dhe rritjen e vlerës së aseteve publike.
Mes projekteve të financuara plotësisht përfshihen stadiumi “Selman Stërmasi”, Kompleksi Guvernativ, Biblioteka Kombëtare, Pallati i Sportit Asllan Rusi, Exp Albania, Korpusi i Inspektorateve dhe projekti “Hospitality Albania”.
Ajo solli në vëmendje disa partneritete për zhvillim:
Stadiumin “Selman Stërmasi”, ku shteti vendosi 15.000 m² me vlerë 10.5 milion euro dhe mori në këmbim një stadium modern me 14.000 vende, parkim nëntokësor dhe 7.000 m² sipërfaqe shërbimi me vlerë totale 124 milion euro.
Zhvillimin e dy pronave njëkohësisht: Rasti i ish-godinës së ATSH-së dhe parkut të delegacioneve, ku shteti dha 2.840 m² me vlerë 2 milion euro dhe mori një kompleks modern zyrash 52.000 m² me vlerë 48 milion euro.
Instrumenti “cobëza”: Prona të vogla bashkohen me projektet private, duke gjeneruar për shtetin 35–40% të sipërfaqes së ndërtuar.
Kontrata enfiteoze: Partneri privat zhvillon pronën për një periudhë të caktuar dhe e rikthen tek shteti, si rastet e vilave qeveritare në Velipojë dhe Vlorë.
Projekte strategjike: Shteti është pronar në projekte madhore si Sazani dhe Marina e Durrësit, duke kontribuar në zhvillimin turistik.
Ibrahimaj theksoi se të gjitha pronat që përdor korporata janë të kontrolluara nga çdo pretendim pasuror, dhe procesi i përzgjedhjes së partnerëve privatë zhvillohet nëpërmjet konkurseve ndërkombëtare publike me juri ndërkombëtare, ku pjesëmarrja mesatare ka qenë rreth 13 konkurrentë.
Gjithashtu, veprimtaria e korporatës monitorohet çdo vit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që nga viti 2021, duke garantuar transparencë, performancë dhe rritje të konkurrueshmërisë.
Ibrahimaj bëri të ditur se në vitin 2024 janë hapur tre procedura konkurruese që përfshinin katër objekte për sipërmarrje dhe tre për zhvillim 100% publik. Në vitin 2025, AIC zhvilloi tetë procedura konkurruese, ku përfshihen 21 objekte për sipërmarrje dhe 10 objekte për funksion 100% publik.
“Të gjitha konkurset janë procedura ndërkombëtare publike dhe publikohen në faqen e korporatës, buletinet zyrtare, rrjetet sociale dhe platforma ndërkombëtare. Përzgjedhja e partnerëve privatë bëhet nga një juri ndërkombëtare sipas kritereve ligjore, teknike dhe financiare, duke garantuar përfitimin më të madh për shtetin”, bëri të ditur ministrja.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se modeli i AIC-së i ndryshon standardet e zhvillimit të pronës publike, duke e kthyer shtetin në investitor aktiv dhe jo më menaxher pasiv të pronave publike.
e.xh/j.p/