E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: AIC po krijon mundësi të reja investimi në gjithë vendin

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC) po vijon punën për zhvillimin e projekteve të reja dhe krijimin e mundësive për investime në Tiranë dhe në qarqe të ndryshme të vendit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se AIC ka përfunduar 14 konkurse publike ndërkombëtare, ndërsa dy të tjera janë aktualisht në proces.

Sipas Ibrahimajt, deri tani janë nënshkruar 12 kontrata me partnerë privatë, ndërsa dy kontrata janë në proces negocimi. Po ashtu, janë lidhur 21 marrëveshje bashkëpunimi me partnerë publikë dhe janë identifikuar 20 projekte investimi me interes publik.

Ibrahimaj theksoi se këto projekte sjellin një përfitueshmëri prej 523 milionë eurosh për Korporatën Shqiptare të Investimeve dhe shtetin, ndërsa ndikimi i tyre në ekonomi vlerësohet në 1,41 miliardë euro. Përmes tyre parashikohet gjithashtu gjenerimi i rreth 94 milionë eurove në taksa dhe tarifa për shtetin.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm, sipas saj, është zhvillimi dhe menaxhimi i parkut teknologjik dhe shkencor, i cili vetëm në një vit ka krijuar 570 vende pune. Në të njëjtën periudhë janë eksportuar 14 milionë euro shërbime të teknologjisë së informacionit.

“Dhe kjo është vetëm një pjesë e punës sonë”, theksoi Ibrahimaj, duke nënvizuar potencialin që projektet e AIC kanë për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për investitorët.

Ibrahimaj ftoi investitorët dhe subjektet e interesuara të eksplorojnë thirrjet e hapura, projektet në zhvillim dhe mundësitë për t’u bërë pjesë e projekteve të Korporatës Shqiptare të Investimeve.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›