Turistët e huaj në Vlorë: Ushqim i mirë dhe njerëz miqësorë

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Shqipëria vijon të mbetet një destinacion i kërkuar për turistët e huaj të cilët vlerësojnë veçanërisht mikpritjen, kulinarinë dhe bregdetin.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ndau sot në rrjetet sociale opinionet e disa turistëve të huaj që kanë zgjedhur Vlorën për të pushuar.
“Hera e parë në Vlorë, dhe me siguri jo e fundit, për miqtë e rinj të Shqipërisë, që vijnë nga e gjithë bota për të vizituar bukuritë e bregdetit dhe për të përjetuar mikpritjen shqiptare”, u shpreh Koçiu.
Dy turistë nga Brazili, të cilët e vizitojnë për herë të parë Vlorën, shprehen se u pëlqen shumë Shqipëria, ndërsa ftojnë edhe turistë të tjerë ta vizitojnë.
Një tjetër turist, nga Argjentina, shprehet se është hera e parë në Vlorë dhe se i pëlqen shumë bregdeti dhe njerëzit.
“Është hera e parë në Vlorë dhe hera e parë në Shqipëri. Njerëzit, e duan këtë vend. Është dita ime e dytë, por deri tani është shkëlqyeshëm. Po mendonim për një qëndrim prej 2 muajsh”, thotë ai.
Një tjetër turist i huaj shprehet se qyteti i duket fantastik dhe se ka pamje të mrekullueshme.
“Pishina është vërtet e këndshme. Pra, po, jam shumë i lumtur për këtë. Do të shkojmë në këmbë drejt plazhit dhe do të shijojmë kohën. Ndoshta do të pimë diçka. Ejani në Shqipëri. Do t’ju pëlqejë shumë”, shprehet ai.
Një tjetër turiste nga Polonia vlerëson ushqimin e mirë dhe njerëzit miqësorë.
“Më pëlqen qyteti. Kam dëgjuar shumë vlerësime pozitive në rrjetet sociale: sa i bukur është, ushqim i mirë, njerëz miqësorë, pushime shumë të mira këtu. Do t’u shkruaj të tjerëve se është fantastike dhe se duhet të vijnë”, thotë ajo.
/m.m/r.e/