Ibrahimaj: Eksportet shqiptare po rriten, struktura e tyre po jep sinjale interesante ndryshimi

TIRANË, 18 gusht /ATSH/ “Eksportet shqiptare po rriten dhe struktura e tyre po jep sinjale interesante ndryshimi”, deklaroi sot ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Ministrja deklaroi se në korrik 2026, eksportet arritën në 33,6 miliardë lekë, +10,6% krahasuar me një vit më parë, ndërsa në 7-mujor rritja vjetore arriti në 6,7%.
Ibrahimaj analizon se përtej shifrave, vëmendjen e tërheq ajo që po ndodh me strukturën e eksporteve. Materialet e ndërtimit dhe metalet, energjia, makineritë dhe pajisjet po japin një kontribut më të madh në rritje, duke sinjalizuar një orientim gradual drejt sektorëve dhe produkteve me më shumë vlerë të shtuar.
Sipas ministres, “hapi i radhës është ta konsolidojmë këtë prirje: më shumë përpunim, teknologji, produktivitet, markë shqiptare dhe kapital njerëzor”.
Qëllimi, sipas Ibrahimajt, është që vendi të eksportojë më shumë, duke krijuar gjithnjë e më shumë vlerë në ekonomi.