Protesta e 80-të për Zvërnecin në Tiranë, ripërsëriten kërkesat

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Në Tiranë po zhvillohet sot protesta e 80-të, kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec dhe me kërkesa për ndryshime politike.
Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ku mbahen fjalimet në foltoren e improvizuar.
Qytetarët vijojnë të përsërisin kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e “kastës së vjetër” politike, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor etj.
E nisur si reagim ndaj ndikimit mjedisor të projektit turistik në Zvërnec, tashmë pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale dhe shprehin shqetësimet e tyre për korrupsionin, mundësitë e punësimit dhe largimin e të rinjve nga vendi.
Në mesazhet e tyre, qytetarët shprehen se do të vijojnë me protestën deri në largimin e qeverisë.
Pas fjalimeve të rastit, protestuesit vijuan me marshimin në rrugët e Tiranës duke kaluar edhe pranë selisë së PD me thirrjet “Opozitë e shitur”.
Dita e 80-të e protestës; Fotoreporter: Andrin Hoxha 1 nga 12/k.s/r.e/