E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Nuk ka një projekt të dorëzuar për Zvërnecin, leja vetëm për analizat mjedisore

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi se aktualisht nuk ekziston një projekt investimi i dorëzuar zyrtarisht në qeveri për zhvillimin e zonës së Zvërnecit, duke sqaruar se deri më tani është dhënë vetëm një leje për kryerjen e analizave mjedisore.

Gjatë një interviste në media, Ibrahimaj u shpreh se debati rreth këtij projekti duhet trajtuar me përgjegjësi dhe mbi bazën e fakteve.

“Nuk ka një projekt investimi strategjik, nuk ka një projekt të dorëzuar në qeveri për të cilin të flitet. Ka një leje e cila është dhënë për të bërë analizat mjedisore dhe kjo është historia”, tha Ibrahimaj.

Ajo shtoi se ekziston një projekt potencial, i cili më herët është rrëzuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por që sipas saj, përfaqëson një investim me vlerë të konsiderueshme.

“Ka dhe një projekt potencial i cili është rrëzuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili ka një vlerë të konsiderueshme, rreth 4,5 miliardë dollarë ose afërsisht 4 miliardë euro”, u shpreh ministrja.

Duke folur për ndikimin ekonomik që mund të kishte një investim i tillë, Ibrahimaj theksoi se sektori i turizmit ka treguar historikisht efekt të lartë shumëzues në ekonomi.

“Duke marrë në konsideratë sektorin e turizmit dhe sektorin në të cilin do të zhvillohej ky projekt, nga analiza e të dhënave në Shqipëri, jo hipotetike, çdo investim në turizëm ka një efekt multiplikativ prej 1,8 deri në 2 herë. Të paktën në të kaluarën ky efekt multiplikativ ka ekzistuar”, tha ajo.

Sipas ministres, ndikimi i investimeve në turizëm nuk kufizohet vetëm te sektori në vetvete, por shtrihet në të gjithë zinxhirin ekonomik.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për një sektor, por për një sektor që ndikon në të gjithë zinxhirin e ekonomisë.

Ky efekt shumëzues ndikon në vlerën e shtuar, në punësim dhe në perceptimin për vendin”, deklaroi Ibrahimaj.

Ajo nënvizoi se projekti në fjalë do të sillte në Shqipëri marka të njohura ndërkombëtare të turizmit dhe hotelerisë.

“Bëhet fjalë për një projekt që do të sjellë brende shumë të mëdha ndërkombëtare, brende të cilat janë të pranishme vetëm në pak vende të botës”, tha ministrja.

Ibrahimaj sqaroi gjithashtu se projekti nuk ka ndjekur procedurën e parashikuar për investimet strategjike, por e cilësoi atë si një nismë me rëndësi të veçantë për zhvillimin e turizmit në vend.

“Unë thashë që nuk është një investim strategjik në sensin që nuk ka bërë një procedurë të investimeve strategjike. Por, pa diskutim që është një projekt, ndoshta projekti më i rëndësishëm në turizëm që ne kemi parë deri më sot”, theksoi ministrja.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›