Investimi në Zvërnec, Ibrahimaj: Laguna dhe ekosistemi nuk preken

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se për investimin e diskutuar në zonën e Zvërnecit aktualisht po kryhen vetëm studime dhe analiza mjedisore.
Gjatë një interviste për “Abcnews”, Ibrahimaj theksoi se çdo zhvillim i mundshëm në zonë do të duhet të respektojë plotësisht standardet mjedisore dhe legjislacionin në fuqi, duke garantuar mbrojtjen e lagunës dhe ekosistemit natyror.
“Direktivat dhe standardet europiane, përfshirë legjislacionin që lidhet me mjedisin, janë një garanci që ne nuk mund të lejojmë ligjërisht ndërhyrje që cenojnë ekosistemin. Nuk është çështje vullneti individual, por çështje ligjore”, u shpreh ministrja.
Ajo solli si shembull praktika ekzistuese zhvillimi në zona të mbrojtura, ku projektet janë përshtatur me mjedisin pa e dëmtuar atë, duke theksuar se vendimmarrjet institucionale janë të bazuara në kritere të qarta mjedisore.
Sipas saj, në të kaluarën ka pasur raste kur projekte të propozuara janë rrëzuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit për shkak se nuk kanë qenë në përputhje me kërkesat për mbrojtjen e mjedisit.
“Ne e kemi treguar edhe më parë kur projektet nuk kanë qenë në linjë me mbrojtjen e mjedisit, i kemi rrëzuar”, tha Ibrahimaj.
Ministrja u shpreh se synimi i qeverisë është zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, i cili sipas saj garanton standarde të larta jo vetëm në ndërtim dhe mjedis, por edhe në shërbime, turizëm dhe zinxhirin ushqimor.
Ajo theksoi se investimet e mëdha në turizëm ndikojnë në rritjen e standardeve të shërbimit dhe të cilësisë në ekonomi, duke sjellë efekte zinxhir në sektorë të ndryshëm si bujqësia, tregtia dhe transporti.
“Kur vijnë investime të rëndësishme, ato ngrenë standardin jo vetëm në ndërtim dhe mjedis, por edhe në shërbime dhe cilësi. Ky është një efekt që ndikon në të gjithë ekonominë”, deklaroi ajo.
Duke iu referuar debatit publik për zonën e Zvërnecit dhe ndikimin e mundshëm në lagunë, Ibrahimaj u shpreh se vullneti i institucioneve është që ekosistemi të mos preket dhe të ruhet në gjendjen aktuale.
“Vullneti ynë është që laguna të mos preket dhe që ekosistemi të ruhet. Nuk kemi projekt, ndaj nuk mund të flasim për ndërhyrje konkrete”, tha ministrja.
Ajo shtoi se aktualisht janë në proces studimet mjedisore, të cilat do të përcaktojnë mënyrën e mundshme të zhvillimit pa dëmtuar natyrën, përfshirë edhe zonat e mbrojtura dhe habitatet si ai i pelikanit kaçurrel.
“Në mungesë të një projekti final dhe studimesh të plota, nuk mund të flasim për ndikime konkrete. Qëllimi është që as laguna dhe as ekosistemi natyror të mos dëmtohen”, nënvizoi Ibrahimaj.
/r.e/a.f/