E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Pensioni mesatar 400 euro, zotimi ynë si qeveri dhe sfida ime si ministre

Në të parën intervistë dhënë për emisionin “E-ZONE”, si ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj thotë se sfidat e këtij mandati qeverisës janë të shumta.

Kryesorja, që është dhe shtylla e  programit, është anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian.

Por një nga sfidat e brendshme më komplekse është skema deficitare e pensioneve, e cila nuk nxit rritjen e pensioneve për mijëra të moshuar.

Ministrja që sapo ka marrë detyrën thotë se kjo është dhe sfida e saj në krye të Ministrisë së Ekonomisë dhe se premtimi i qeverisë për pensionin mesatar të arrijë në 400 euro në muaj do të bëhet realitet.

“Është zotimi ynë si qeveri, që në këtë mandat deri në përfundimin e tij të kemi realizuar objektivin që i kemi vënë vetes, pension mesatar 400 euro. Kjo shifër është pjesë e studimeve që kemi bërë dhe nga të dhënat e skemës së pensioneve deri në fund të mandatit do të kemi realizuar këtë objektiv. Aktualisht çdo pensionist përfiton disa kompensime shtesë, siç janë ato në faturën e energjisë, bonuset që merr gjatë një viti, që në final e bëjnë që pensioni aktual të jetë më i lartë se ai që deklarohet”, tha Ibrahimaj.

Sot pensioni mesatar arrin në 18 mijë lekë në muaj, ndërsa pensioni minimal kap shifrën e 11 mijë lekëve. Në total janë rreth 700 mijë pensionistë, por më shumë se gjysma e tyre përfitojnë pension nën atë mesatar, një tregues ky që e vendos Shqipërinë si vendin që ofron pensione që nuk mjaftojnë për një jetë dinjitoze./vizionplus.tv

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›