Ibrahimaj: Rritja e çmimit të hidrokarbureve pasojë e kurbave në bursat ndërkombëtare

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u shpreh sot se rritja e çmimit të hidrokarbureve në vendin tonë, pas sulmeve amerikano-izraelite në Iran, ka ardhur si pasojë e kurbave në bursat ndërkombëtare.
Në një intervistë televizive, Ibrahimaj nënvizoi se prej disa javësh që prej fillimit të luftës, ka pasur mungesë të furnizimit me naftë të rafinuar, si edhe me nënprodukte të naftës, gjë e cila ka sjellë ndikime në bursat ndërkombëtare.
Sipas Ibrahimajt, “çmimi i bursave ndërkombëtare është rritur ndjeshëm dhe ky çmim është reflektuar edhe në vendin tonë”.
“Ka disa faktorë që e ndikojnë çmimin. Pavarësisht se kompanitë tregtare kanë një rezervë të detyrueshme të cilën duhet ta garantojnë që e kanë në vend, ajo që ndodh është rezerva përdoret në mënyrë ditore dhe zgjat në mënyrë ditore, dhe çmimi i karburantit matet me bursën ditore. Këto çmime janë të publikuara. Dogana bën zhdoganimin e karburantit në bazë të këtij çmimi duke shtuar të gjitha detyrimet e taksave që u ngarkohen karburanteve”, tha Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj, tha se qeveria mund të rikthejë Bordin e Transparencës për kontrollin e çmimit të hidrokarbureve.
“Në 3 javë kompanitë kanë vazhduar të furnizohen nga furnizuesit e tjerë ndërkombëtarë që i kanë rritur çmimet. Kemi ngritur një task-forcë që pikërisht do të bëjë këtë lloj verifikimi, nëse kompanitë e tregtimit kanë pasur rezerva në pikat e tyre dhe nëse kanë tregtuar me çmim abuziv, pa marrë në konsideratë çmimet që kanë reflektuar”, vijoi Ibrahimaj.
Ibrahimaj u shpreh se “aty ku shihet se ka zbulim do të bëjmë një rivlerësim të të gjithë kontabilitetit të kompanisë dhe do të vëmë dhe penalitetet e duhura. Unë e thashë sot dhe në konferencë për shtyp, ne jemi duke vlerësuar situatën dhe jemi në kushte për të ngritur apo jo bordin e transparencës për karburantet”.
Lidhur me rezervat e naftës që kompanitë kanë aktualisht, Ibrahimaj tha se ligji parashikon që ato të mbajnë rezerva për 1 muaj. Sipas Ibrahimajt, mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nuk përbën rrezik për furnizimin me naftë në Shqipëri.
/e.i/j.p/