E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Të gatshëm të hartojmë paketë të posaçme për fasonerinë

TIRANË, 27 mars/ATSH/ Sektori fason në vend është prekur në mënyrë të konsiderueshme nga luhatjet e kursit të këmbimit dhe nga rritja e kostove të punës, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në konkurrencën e saj ndërkombëtare.

Shoqata e Eksportuesve mblodhi sot Asamblenë e saj dhe pritet t’i drejtohet me një sërë kërkesash qeverisë për të mbështetur këtë sektor.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj gjatë një konference për shtyp sot e pyetur nga ATSH mbi kërkesat e Shoqatës së Eksportuesve deklaroi se, qeveria është e gatshme të nisë dialogun me përfaqësuesit e industrisë për të hartuar instrumentet e duhura mbështetëse.

“Pa diskutim që jemi në dijeni të shqetësimeve të industrisë fason dhe të sektorit të tekstileve, të cilët kanë paraqitur një sërë kërkesash prej disa vitesh, që nga fillimi i forcimit të lekut kundrejt euros. Viti i kaluar ka qenë një periudhë e stabilizuar për kursin e këmbimit, ndërsa dy vitet e mëparshme bizneset janë ndikuar nga forcimi i lekut dhe rënia e euros, pasi kontratat e lidhura më parë ishin të negociuara me një kurs tjetër. Kjo situatë pati ndikim të konsiderueshëm mbi industrinë”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se qeveria ka qëndruar në dialog të vazhdueshëm me përfaqësues të industrisë.

“Qeveria dhe Banka e Shqipërisë kanë dëgjuar shqetësimet e tyre dhe kanë shqyrtuar mënyrat për të mbështetur sektorin. Ndër vite, janë ndërmarrë iniciativa, të tilla si garancitë sovrane për investime. Por theksoj se vetëm përmes modernizimit, automatizimit dhe inovacionit, industria mund të përballojë sfidat e saj”, u shpreh ajo.

Ministrja deklaroi se prodhimi me cikël të mbyllur mbetet një element kyç për tejkalimin e vështirësive që lidhen me kursin e këmbimit dhe me rritjen e kostove të punës, dy faktorë të pashmangshëm, pasi siç theksoi ajo, synimi i qeverisë është rritja e të ardhurave dhe e pagave për qytetarët.

Për përballimin e rritjes së kostos së pagës minimale, ministrja solli në vëmendje se qeveria ka miratuar vendimin që subvencionon kostot shtesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Ministrja bëri të qartë se kursi i këmbimit mbetet një risk i sektorit privat dhe qeveria nuk ndërhyn në mekanizmat e tij. Sipas saj, për të reduktuar këtë risk, tregtarët mund të përdorin instrumente të sektorit bankar për fiksimin e kursit.

“Ajo që kemi diskutuar që në krye të herës është që ka mekanizma të cilat vihen në bashkëpunim me sektorin bankar, në të cilin tregtarët mund të fiksojnë kursin e këmbimit. Pra mund të përdorin sektorin bankar me qëllim reduktimin e riskut të kursit të këmbimit”, tha ministrja.

Ministrja tha se ndër kërkesat e sektorit ka qenë edhe mbështetja përmes granteve qeveritare, përmes AIDA-s.

Por vuri në dukje ajo, fondet e AIDA-s janë vetëm rreth 1 milion euro dhe shkojnë kryesisht për kompanitë mikro, duke mos mbuluar industrinë fason.

“Edhe sikur të shkojnë në ndihmë të këtij sektori, sërish janë të pamjaftueshme”, tha Ibrahimaj.

Ministrja tha se bazuar mbi një analizë që duhet bërë nga të dy aktorët, qeveria dhe sektori do të mund të ndërtohet një mekanizëm mbështetës.

“Qeveria dhe sektori fason duhet të ulen së bashku për të analizuar nevojat reale të industrisë, duke identifikuar ndërmarrjet që kërkojnë investime, automatizim dhe prodhim me cikël të mbyllur. Bazuar në këtë analizë, do të ndërtohet një mekanizëm mbështetës për të ndihmuar modernizimin, reduktimin e kostove dhe rritjen e eficencës. Jemi të gatshëm të hartojmë një paketë të posaçme që synon automatizimin dhe zhvillimin e ciklit të mbyllur, duke shfrytëzuar potencialin e lartë të këtij sektori”, tha Ibrahimaj.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›