E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ibrahimaj në Emiratet e Bashkuara Arabe: Bashkëpunim në kërkim shkencor, edukim dhe projekte inovacioni

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe vizitoi kampusin “Mohamed bin Zayed University of Artificial Intelligence”,  MBZUAI, një nga institucionet më prestigjioze në botë për zhvillimin e AI.

Gjatë vizitës në kampus, ministrja Ibrahimaj shoqërohej nga drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC), Elira Kokona, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, si dhe Gjergji Taho nga DURANA Tech Park.

“Gjatë vizitës patëm mundësinë të diskutojmë me drejtuesit e lartë mbi bashkëpunimin në kërkim shkencor, edukim dhe projekte inovacioni”, theksoi Ibrahimaj në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Ibrahimaj u shpreh se “këto ura partneriteti ndërkombëtar janë thelbësore për të ndërtuar një Shqipëri moderne, ku dijet dhe teknologjia bëhen motor i zhvillimit ekonomik dhe i së ardhmes së vendit”.

Ibrahimaj ndodhet për një vizite zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ditën e djeshme u takua gjithashtu me drejtuesit e MGX, një prej kompanive më inovative në fushën e inteligjencës artificiale dhe transformimit digjital në Lindjen e Mesme.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›