E Diel, 1 Nëntor 2026

Idet e Marsit: Dita e tradhtisë

TIRANË, 15 mars, ATSH/ 15 marsi i vitit 44 p.e.s., i njohur si Idet e Marsit, është një nga datat më dramatike në historinë e Romës së lashtë. Në këtë ditë u vra diktatori romak Jul Cezari, i cili u sulmua nga një grup senatorësh që kishin frikë nga fuqia e tij në rritje.

Sipas burimeve antike, natën para vrasjes pati shumë ogure të këqija. Gruaja e Cezarit, Calpurnia, thuhet se kishte parë ëndrra të frikshme. Calpurnia e luti Cezarin të mos dilte nga shtëpia dhe të shtynte mbledhjen e Senatit.

Pavarësisht ogureve të këqija, Cezari vendosi të shkonte në mbledhjen e Senatit që zhvillohej në kurinë e teatrit të Pompeut.

Sapo mbërriti, ai u rrethua nga një grup senatorësh komplotistë. Ata e goditën me thika dhe Cezari mori 23 plagë.

Mes komplotistëve ishte edhe Marcus Junius Brutus, një nga njerëzit më të afërt të tij. Tradita thotë se, kur e pa Brutin mes sulmuesve, Cezari tha fjalët e famshme: “Edhe ti, Brut?!!”.

Kjo shprehje u bë e njohur sidomos falë dramës “Tragjedia e Jul Cezarit” nga dramaturgu anglez William Shakespeare.

Vrasja e Cezarit nuk e shpëtoi Republikën, siç kishin shpresuar komplotistët. Përkundrazi, ajo solli një seri luftërash civile që përfunduan me ardhjen në pushtet të birit të tij të adoptuar, Augustus, i cili u bë perandori i parë i Romës.

Kështu, Idet e Marsit shënuan jo vetëm vrasjen e një prej figurave më të fuqishme të Romës, por edhe fillimin e fundit të Republikës Romake.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›