Ilir Meta lë përkohësisht burgun, niset drejt Skraparit për varrimin e të atit

Ilir Meta është nxjerrë mëngjesin e kësaj të marte nga burgu “313”, për t’u shoqëruar drejt fshatit Çepan të Skraparit, ku do t’i japë lamtumirën e fundit babait të tij, Rexhep Meta.
Sipas informacioneve, Meta ka lënë ambientet e paraburgimit rreth orës 07:00, nën masa të posaçme sigurie dhe i shoqëruar nga Policia e Burgjeve.
Ish-presidenti do të marrë pjesë në ceremoninë mortore që zhvillohet në Çepan, vendlindja e familjes Meta, ku familjarë, të afërm dhe miq janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit Rexhep Metës.
Dalja e Metës nga institucioni i vuajtjes së masës së sigurisë është bërë vetëm për pjesëmarrje në ceremoninë funerale të të atit, nën mbikëqyrjen e autoriteteve përgjegjëse.