E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Reformat nuk i bëjmë për Brukselin, por për Shqipërinë

Shqipëria duhet të vijojë me të njëjtin ritëm reformat dhe zbatimin e tyre për të përmbyllur me sukses procesin e negociatave me Bashkimin Europian. Ky ishte mesazhi nga konferenca e përbashkët në Tirane  mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Këshillit Europian, Antonio Costa . Kryeministri Rama vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Costës për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një prej mbështetësve më të rëndësishëm të avancimit të vendit drejt BE-së.

“Dua ta falënderoj Antonion posaçërisht për angazhimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e palodhur, edhe përpara se ne të realizonim praktikisht mbylljen e fazës së parë dhe hapjen e fazës së mbylljes”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se reformat dhe detyrimet që rrjedhin nga procesi i negociatave nuk po zbatohen për hir të Brukselit, por për forcimin e shtetit dhe institucioneve shqiptare.

“Ne kemi detyra për të përmbushur, jo për hir të Brukselit, por për hir të përmirësimit të performancës së shtetit, institucioneve dhe pushteteve të pavarura në Shqipëri”, u shpreh ai.

Sipas Ramës, sfida kryesore në këtë fazë mbetet zbatimi i reformave dhe i legjislacionit të miratuar, ndërsa vuri në dukje se Shqipëria dhe Bashkimi Europian ndajnë të njëjtin vizion për të ardhmen e procesit të integrimit.“Jemi në dakordësi për sa i përket detyrave që duhet të bëjmë, për domosdoshmërinë që të ecim me këtë ritëm dhe të vijmë në mbylljen e negociatave. S’kemi asnjë shqetësim që na ndan, por vetëm shqetësime që na bashkojnë”, deklaroi Rama.

Nga ana e tij, Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, përgëzoi Shqipërinë për progresin e arritur dhe përmbushjen e piketave të ndërmjetme për grupkapitullin e parë të negociatave.“Sot përgëzoj vendosmërinë e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e BE-së dhe në veçanti rolin tuaj, Edi, dhe angazhimin tuaj personal në këtë proces”, tha Costa.

Ai nënvizoi se shtetet anëtare të Bashkimit Europian kanë vlerësuar ecurinë e Shqipërisë, por theksoi se vendi ndodhet tashmë në një fazë edhe më kërkuese të procesit.“Ky është fillimi i një faze impenjative. Këto reforma, më shumë sesa kushte, janë zgjedhje nga ana juaj për të ndërtuar institucione të forta demokratike dhe për të ruajtur një pushtet gjyqësor të pavarur”, u shpreh Presidenti i Këshillit Europian.

Costa kërkoi vijimin e përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›