E Martë, 3 Nëntor 2026

Importet më të lira në fillim të 2025-ës, ndikim nga energjia dhe tekstilet

Tiranë, 5 qershor/ATSH/ Çmimet e importit për tremujorin e parë të vitit 2025, shënuan një ulje modeste prej 0,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Referuar raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), ulja më e madhe vjetore u regjistrua te energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri i kondicionuar, me 5,5%.

Po ashtu, çmimet në sektorin e furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbetjeve ranë me 1,2%, ndërsa industria përpunuese, që zë pjesën më të madhe me 94%, shënoi një ulje të lehtë prej 0,1%.

Brenda këtij sektori, rënia më e ndjeshme ishte në konfeksionimin e veshjeve (-2,1%) dhe metalurgji (-1,4%).
Ndërkaq, industria nxjerrëse shënoi një rritje të çmimeve me 0,6%.

Në krahasim me tremujorin e fundit të 2024-ës, sektori i energjisë pësoi një ulje prej 2%, ndërsa industria përpunuese dhe ajo nxjerrëse regjistruan rënie të vogla nga 0,2% secila.

Brenda industrisë përpunuese, ulja më e madhe ishte në konfeksionimin e veshjeve (-1%), ndërsa rritje çmimesh u vunë re në prodhimin e mobiljeve (+0,8%) dhe prodhimin e kimikateve (+0,3%).

Këto të dhëna tregojnë se çmimet e importit po përjetojnë një periudhë stabilizimi dhe lehtësojnë presionet inflacioniste, veçanërisht në sektorë kyç si energjia dhe konfeksioni. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›