AIDA dhe ILO, bashkë për rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme

Tiranë, 5 qershor/ATSH/ Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) mirëpriti sot përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) në kuadër të prezantimit të projektit “Sustaining Competitive and Responsible Enterprises” (SCORE).
Delegacioni i ILO-s i kryesuar nga Rania Bikhazi, specialiste e lartë u prit nga drejtorja ekzekutive e AIDA-s, Laura Saro.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi mundësinë e institucionalizimit të programit SCORE në Shqipëri dhe ofrimi i trajnimeve për stafin, si një instrument për ndërtimin e kapaciteteve dhe garantimin e qëndrueshmërisë.
Gjatë takimit, Bikhazi prezantoi përfitimet që sjell programi SCORE për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), duke i ndihmuar ato të zbatojnë praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të integrohen në zinxhirët globalë të furnizimit.
AIDA rikonfirmoi angazhimin dhe gatishmërinë për të mbështetur më tej këtë iniciativë, duke kontribuar në suksesin dhe përhapjen e saj në Shqipëri. /j.p/
1 nga 3