E Diel, 1 Nëntor 2026

Inaugurimi i linjës Toronto–Tiranë, Karakaçi: Një kapitull i ri për aviacionin shqiptar dhe mundësi të reja për turizmin e biznesin

Në ceremoninë e inaugurimit të fluturimit të parë direkt Kanada–Shqipëri, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e cilësoi këtë ngjarje si një moment historik për vendin dhe një mundësi të re për zhvillimin e aviacionit civil dhe ekonomisë shqiptare. 

“Jemi mbledhur sot në këtë ceremoni jo thjesht për mbërritjen e një avioni në fakt, por për hapjen e një mundësie të re për Shqipërinë. Për herë të parë në historinë e aviacionit civil shqiptar, një fluturim direkt lidh Kanadanë me Shqipërinë, duke krijuar një urë të re mes dy vendeve tona, mes njerëzve tanë, familjeve, bizneseve dhe kulturave tona,” – u shpreh Karakaçi. 

Ai theksoi se kjo arritje nuk është rezultat i rastësisë, por produkt i një bashkëpunimi të ngushtë mes institucioneve shqiptare dhe kanadeze, i një pune intensive diplomatike dhe teknike, si dhe i besimit që industria ndërkombëtare e aviacionit ka tek Shqipëria.

Ministri kujtoi se interesi i kompanisë Air Transat për të operuar fluturime direkte në Shqipëri u pa menjëherë si një mundësi strategjike, ndaj institucionet shqiptare u angazhuan me prioritet për të negociuar dhe finalizuar Marrëveshjen e Transportit Ajror mes dy shteteve. 

Karakaçi falënderoi Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Autoritetin e Aviacionit Civil, partnerët kanadezë dhe ekspertët që punuan me përkushtim për ta bërë të mundur këtë arritje.

“Sot kemi dëshmuar se kur ekziston vullneti dhe bashkëpunimi, pengesat burokratike mund të tejkalohen dhe interesat qytetare mund të vendosen në plan të parë,” – tha ai. 

Ministri nënvizoi rëndësinë e veçantë që kjo linjë ka për mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada, duke i cilësuar ata si ambasadorët më të mirë të vendit.

“Ata janë një komunitet i integruar dhe i respektuar, që ka ruajtur lidhjet e forta me Shqipërinë. Edhe sot pamë që pjesa më e madhe e pasagjerëve në avion ishin shqiptarë, duke treguar lidhjen e pashmangshme me shtetin e tyre,” – shtoi Karakaçi. 

Por sipas tij, ndikimi i kësaj linje shkon përtej diasporës, pasi hap një treg të ri për turizmin shqiptar, sjell vizitorë nga një prej vendeve më të zhvilluara të botës dhe krijon mundësi të reja për biznesin dhe investimet.

Ai e konsideroi këtë zhvillim si tregues të transformimit të jashtëzakonshëm që ka përjetuar aviacioni shqiptar vitet e fundit, ku numri i pasagjerëve është trefishuar krahasuar me periudhën para pandemisë dhe lidhjet ajrore janë zgjeruar ndjeshëm. 

“Ndërsa shohim drejt së ardhmes, vizioni ynë është i qartë: më shumë lidhje, më shumë mundësi dhe një aviacion që mbështet zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Linja Toronto–Tiranë është vetëm fillimi. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të zgjeruar rrjetin e destinacioneve, për të rritur kapacitetet infrastrukturore dhe për të siguruar që Shqipëria të mbetet një histori suksesi në aviacionin evropian,” – përfundoi Karakaçi. 

Në fund ai shtoi se, ky fluturim i parë transatlantik shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kanadasë, duke forcuar diasporën shqiptare, duke hapur perspektiva të reja për turizmin dhe duke konsoliduar rolin e Shqipërisë në hartën e aviacionit modern evropian. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›