Inaugurohen dy fusha të reja në Gjirokastër, Duka: Vazhdojmë të investojmë në infrastrukturë

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Dy fusha të reja futbolli janë inauguruar në qytetin e Gjirokastrës, një investim i realizuar nga Federata e Futbollit në bashkëpunim me bashkinë Gjirokastër, në kuadër të projekteve për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe mbështetjen e futbollit në komunitet.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, dhe kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, të cilët theksuan rëndësinë e këtij investimi për krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë dhe për zhvillimin e futbollit në qytet.
Duka vlerësoi ceremoninë si një dëshmi të bashkëpunimit të suksesshëm dhe vizionit të përbashkët për zhvillimin e futbollit në vend. Kreu i futbollit shqiptar theksoi angazhimin për investime të vazhdueshme në infrastrukturë dhe përmirësimin e kushteve për të rinjtë, në të gjithë vendin.
“Projektet tona do të vazhdojnë për të investuar në infrastrukturë. Uroj që siç kemi bashkëpunim fantastik me Bashkinë e Gjirokastrës, me Kryetarin kryesisht dhe me të gjithë Bashkinë që e ka mbështetur lojën e futbollit, që e do atë, që ka bashkëpunuar me ne në investimin e këtij impianti, mendoj fantastik për kohën në Gjirokastër. Të kemi të tilla bashkëpunime në të gjithë territorin e vendit për t’ju afruar juve dhe bashkëmoshatarëve tuaj kushte sa më të mira loje”, tha Duka.
Kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, vlerësoi inaugurimin e dy fushave si një investim të rëndësishëm për të rinjtë që synojnë të ndjekin ëndrrën e tyre në futboll.
Ai theksoi rolin e sportit si një mjet kyç për edukimin dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve dhe komunitetit.
“Të falënderoj miku im, jo thjesht që po inaugurojmë dy fusha që janë shumë të domosdoshme për ata që pretendojnë të bëhen futbollistë e kanë ëndërr këtë gjë. Futbolli dhe loja është një disiplinë për të rritur shëndetshëm fëmijët tanë, familjet e këtij qyteti, fëmijët e të gjithë qarkut Gjirokastër”, tha Flamur Golemi, kryetari i Bashkisë Gjirokastër.
1 nga 6/gj.m/j.p/