E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: 17% e totalit të të ardhurave në ekonomi, nga ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se rritja e mirëqenies së qytetarëve mbetet një nga objektivat kryesore të qeverisë, duke theksuar rolin e rëndësishëm të sektorit të ndërtimit në ekonominë shqiptare.

Gjatë një takimi në një biznes ndërtimi, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Ibrahimaj u shpreh se në 10 vitet e fundit sektori i ndërtimit, së bashku me pasuritë e paluajtshme, ka zënë rreth 17% të totalit të të ardhurave në ekonomi.

Ajo e cilësoi ndërtimin si një sektor me impakt zinxhir, duke theksuar se investimet në këtë fushë garantojnë vijimësinë e rritjes ekonomike dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen e pagave.

Sipas saj, projektet që po zhvillohen pritet të japin një kontribut prej rreth 14 milionë euro në taksa vendore, ndërsa pritet të gjenerojnë të ardhura të tjera nga aktivitetet që do të zhvillohen në këto hapësira.

Ministrja solli në vëmendje edhe shembullin e biznesit ku u zhvillua takimi, i cili aktualisht ka 200 të punësuar dhe 50 kontraktorë, ndërsa synon të arrijë në rreth 1 mijë të punësuar brenda vitit. Sipas saj, paga minimale në këtë biznes është 900 euro, paga mesatare 1700 euro dhe ajo maksimale arrin në 3600 euro, duke tejkaluar ndjeshëm mesataren në ekonomi.

Ibrahimaj theksoi se projekte të tilla me standarde të larta zhvillimi urban janë modele suksesi që duhen ndjekur, ndërsa nënvizoi se mirëqenia e punonjësve dhe pagat e larta mbeten në fokus të politikave qeveritare, duke kontribuar edhe në rritjen e të ardhurave nga sigurimet shoqërore.

1 nga 2

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›