E Martë, 3 Nëntor 2026

Incidenti me Osmanin në RMV, Pacolli: Fajtor vetëm stafi i presidentes

Incidenti me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit, vijon të debatohet në Maqedoninë Veriore dhe në Prishtinë.

Kompania që menaxhon aeroportin maqedonas hodhi poshtë akuzat të premten se një punonjës i saj tentoi t’ia marrë celularin presidentes. Stafi i kryetares së shtetit reagoi ashpër, duke pretenduar se iu cenuan të drejtat si një personalitet diplomatik, që i njihen edhe me Konventë.

“Telefoni i është kërkuar për t’iu nënshtruar kontrollit (skriningut) të detyrueshëm të sigurisë përmes aparatit me rentgen. Në bazë të Dokumentit 30 të ECAC (Doc.30) dhe Programit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, të gjithë pasagjerët, bagazhet e kabinës dhe sendet e tyre personale që udhëtojnë në një fluturim komercial, si në këtë rast, i nënshtrohen kontrollit të sigurisë.

Nëse nuk jemi të harmonizuar me këto rregulla, piloti i fluturimit do të refuzojë hipjen në avion të pasagjerit. Konventa e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike i përjashton nga kontrolli i sigurisë vetëm mysafirët zyrtarë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe operatori i aeroportit merr njoftim zyrtar për përjashtime të tilla nga Ministria e Punëve të Brendshme,” reagoi Aeroporti i Shkupit.

Edhe Ministria e Jashtme maqedonase përsëriti të premten keqardhjen për incidentin, ndërsa sqaroi se marrëdhëniet mes dy republikave fqinje janë pozitive dhe konstruktive në të gjitha nivelet dhe fushat.

“Pas një analize të detajuar të të dhënave të mbledhura në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të shmangur situata të tilla në të ardhmen,” thuhet në deklaratën e Ministrisë.

Ndërkohë, ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili vetë disponon një aeroplan privat, ka fajësuar stafin e kryeshtetares Osmani se mund ta kenë vështirësuar situatën në aeroport me sjelljen e tyre.

“Presidentja, si person me imunitet diplomatik, nuk është ASPAK fajtore për atë që ka ndodhur. Ajo nuk organizon e as që duhet të organizoi tranzitimin në një aeroport të tretë, kështu që Presidentes i është imponuar çdo gjë që ka ndodhur.

Faji kryesor i takon stafit të presidencës, që shpesh është i mbipopulluar, i panevojshëm dhe joprofesional dhe gjithmonë arrogant. Ky staf ka dështuar sërish në facilitetin e kalimit të presidentes në mënyrë dinjitoze në këtë pikë kufitare aeroportuale,” shkroi ish-presidenti Pacolli. /Zhurnal

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›