E Martë, 3 Nëntor 2026

Kosova ndalon 5 të dyshuar për krime lufte, Serbia: Arrestimi me urdhër të Kurtit

Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës përmbyllën të shtunën një hetim disamujor me arrestimin e pesë të dyshuarve për krime lufte.

Personat dyshohet se në vitin 1999 kanë qenë pjesë e një grupi të armatosur “të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe”.

“Më 05.04.1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar, ku me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, maltrajtuar, torturuar fizikisht dhe psikikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuar popullatën civile shqiptare, shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë,” thuhet në komunikatën e përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë kosovare.

Zyra për Kosovën në qeverinë serbe publikoi edhe emrat e të arrestuarve.

Në një reagim ku dënoi ndalimin e shtetasve serbë, Zyra u shpreh se “me urdhër të drejtpërdrejtë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti” u arrestuan: Dragan Cvetkoviq, Dragan Biliq, Millosh Shoshiq dhe Sllobodan Jevtiq.

Zyra serbe pretendon se operacioni për arrestimin e të dyshuarve u krye në mënyra arbitrare, pa urdhra bastisjeje dhe duke keqtrajtuar “të moshuarit në prani të fëmijëve”.

“Sllobodan Jevtiq u lirua nga shërbimi ushtarak për shkak të shikimit të dobët dhe gjatë arrestimit të tij thyen derën e hyrjes. Dragan Cvetkoviq është 90 për qind invalid, i plagosur dikur nga shqiptarët, dhe është babai i një prifti vendas. Dragan Cvetkoviq është një mësues në pension dhe Millosh Shoshiq, pjesëtari i parë i SHPK-së në Kosovë, që do të thotë se qysh para 20 vitesh i është dashur të kalojë të gjitha kontrollet e sigurisë,” thuhet në njoftimin e Zyrës serbe. /RTK, RTV21

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›