E Diel, 1 Nëntor 2026

Indeksi i kushtimit në ndërtim u rrit me 1,2% në tremujorin e katërt 2025

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Indeksi i Kushtimit në Ndërtim (IKN) për tremujorin e katërt të vitit 2025 arriti 114,1, duke shënuar një rritje prej 1,2 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, sipas të dhënave të fundit të INSTAT.

INSTAT bëri të ditur se, ky ndryshim vjetor është i njëjtë me rritjen e regjistruar në të njëjtin tremujor të vitit të mëparshëm.

Sipas raportit, grupi që shënoi rritjen më të madhe të çmimeve është “shpenzime për paga”, me një rritje prej 6,0 %, ndjekur nga grupet “shpenzime makinerie” dhe “Kosto të tjera” me 1,8 % secili, dhe “Shpenzime transporti” me 1,6 %. Ndërkohë, grupi “Shpenzime materiale” shënoi ulje prej 0,9 %. Brenda këtij grupi, nëngrupi “Materiale ndërtimi” zbriti me 1,1 %, “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” me 0,6 %, ndërsa “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 0,1 %.

Ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025, IKN shënoi një rritje modeste prej 0,1 %. Rritja më e madhe tremujore u regjistrua tek “Shpenzime për paga” me 1,4 %, ndjekur nga “Shpenzime makinerie” dhe “Kosto të tjera” me 0,3 % secili dhe “Shpenzime transporti” me 0,1 %. Për grupin “Shpenzime materiale” u evidentua një ulje prej 0,5 %, ku “Materiale ndërtimi” zbriti me 0,6 %, “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” me 0,5 % dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 0,3 %.

INSTAT bën të ditur se, ky tregues pasqyron zhvillimet e kostove në sektorin e ndërtimit dhe siguron informacion të rëndësishëm për planifikimin ekonomik dhe vendimmarrjen në fushën e investimeve infrastrukturore dhe zhvillimit urban.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›