ProEksport Albania kërkon masa fiskale mbështetëse në seancën dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Bordin Drejtues të shoqatës ProEksport Albania në lidhje me politikat e taksimit të pagës dhe incentivimin e sektorit për fuqizimin drejt një cikli të mbyllur me produkte “Made in Albania”.
Edvin Prençe, kryetar i ProEksport Albania, theksoi se sektori i manifakturës punëson mbi 65 mijë persona në shkalle vendi dhe qarkullon 1 miliard euro në vit.
“Gjatë vitit 2025 sektori u prek rëndë duke shënuar një trend në rënie dhe humbje e rreth 12 mijë vende pune, si pasojë e ndryshimeve të kursit të këmbimit dhe mungesës së mbështetjes së sektorit”, tha ai.
Prençe, kërkoi rritjen e koeficientit të amortizimit nga 20% në 40 % sa i takon makinerive te prodhimit. “Kjo nuk është ulje tatimi, por ndryshon rimtin me të cilin njihen shpenzimet e investimit për qëllime fiskale. Shërben për të rritur produktivitetin dhe për të bërë investimet e nevojshme që të jemi më konkurrues. Politika duhet t’i japë AIDA-s fonde të dedikuara për sektorin e fasonerisë”, tha ai.
Nënkryetarja Donika Mici tha se rënia e euros ka sjellë dëme të mëdha. “Ne nuk mund t’i faturojmë klientë tanë për këtë gjë, ndaj duhet të fokusohemi në një mekanizmm fiskal kompensues tranzitor për eksportuesit, u shpreh ajo.
Përfaqësuesi i shoqatës ProEksport Albania, Florjan Zeka, kërkoi gjithashtu që garancia shtetërore për kreditë të jetë e përhershme, me normë interesi 2,5% dhe mbulim kolaterali deri në 70%, pasi skemat ekzistuese nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme për shkak të zbatimit të vonshëm.
Saimir Bidaj anëtar i shoqatës ProEksport Albania ngriti shqetësimin e rritjes së kostos nga paga minimale. Bidaj kërkoi që rimbursimi pas rritjes së pagës minimale të zbatohet për 9 muaj për të gjitha nivelet e pagave në sektor, jo vetëm për pagat e ulëta.
Një tjetër kërkesë e shoqatës është rishikimi i pragut të Tatimit mbi të Ardhurat Personale (TAP), duke propozuar që të nisë nga 50 mijë lekë në muaj nga 35 mijë lekë aktualisht, për të lehtësuar barrën fiskale të sektorit prodhues.
Pas dëgjesës në Komisionin për Ekonominë dhe Financat me përfaqësues të sektorit prodhues, deputetja e opozitës Jorida Tabaku deklaroi se problematikat e ngritura kërkojnë masa konkrete në mbështetje të biznesit dhe se këto nisma nuk duhet të ndërmerren për populizëm.
Sipas saj, janë evidentuar shqetësime lidhur me nivelin e taksave që paguhen për produktet që eksportohen në tregun europian, ndërsa procesi i integrimit, sipas saj, ka ndikuar në pamundësinë për të reduktuar disa prej këtyre taksave.
Tabaku kujtoi se në dhjetor të vitit të kaluar, grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar që, pas rritjes së pagës minimale në 50 mijë lekë, tatimi mbi të ardhurat të mos nisë nga 35 mijë lekë, por nga 50 mijë lekë, duke argumentuar se barra e rritjes po përballohet nga biznesi.
Ajo shtoi se ka disa masa që mund të ndërmerren nga qeveria përmes ndryshimeve ligjore dhe se opozita është e gatshme t’i mbështesë ato, edhe me kosto politike. Duke iu referuar një analize krahasuese me Kosovën, Tabaku tha se taksa për makineritë dhe lëndët e para atje është 0%, ndërsa në Shqipëri varion nga 5% deri në 18%. Sipas saj, këto dy zëra përbëjnë rreth 35% të kostos së prodhimit, ndërsa rreth 30% tjetër ndikohet nga zhvlerësimi i euros.
Në përfundim, ajo ngriti dilemën mbi modelin ekonomik që duhet të ndjekë vendi, duke theksuar nevojën për mbrojtjen dhe nxitjen e prodhimit vendas, përtej sektorëve tradicionalë të ndërtimit.
Komisioni vendosi që kërkesat emergjente të Bordin Drejtues të Shoqatës Proeksport Albania, t’ia parashtrojë qeverisë për mundësi veprimi.
e.xh/j.p/