E Diel, 1 Nëntor 2026

Inspektime për sigurinë në gjykata, KLGJ kërkon më shumë prani policore, pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja

Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, në datën 6 tetor të vitit të shkuar, Këshilli i Lartë Gjyqësor kërkoi nga Parlamenti që të bëhej një vlerësim i sigurisë së gjykatave, si edhe i infrastrukturës së godinave.

KLGJ kërkon nga Parlamenti që në të gjitha gjykatat e vendit të ketë efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët të jenë të trajnuar dhe të kenë një plan të dedikuar sigurie.

Po ashtu, kërkohet edhe mbështetje buxhetore për përmirësimin e infrastrukturës së sigurisë dhe klasifikimin e gjykatave si institucione të rëndësisë së veçantë. Rishikimi i protokolleve hyrëse dhe dalëse në gjykata, përfshirë procedurat e kontrollit për palët, dëshmitarët dhe të pandehurit, ishte një tjetër pikë e parashtruar nga KLGJ.

Këtë të hënë, deputeti socialist Bledi Çomo ka kryer një inspektim në Gjykatën e Posaçme, lidhur me çështjet e sigurisë, një iniciativë kjo e Kuvendit për të parë nga afër ngërçet e mundshme në gjykata. Gjatë inspektimit, Çomo u shoqërua nga gjyqtari Erion Bani.

Më herët, një inspektim i ngjashëm është kryer edhe në Gjykatën e Korçës.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›