E Diel, 1 Nëntor 2026

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit vijon aksionin për lirimin e hapësirave publike

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.

Ndërkohë në gjithë territorin e vendit, po vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme, një nismë që i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale, pamje nga një tjetër ndërhyrje e forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

“Vijojmë punën për të liruar hapësirat publike”, tha Rama, ndërsa ndau pamje nga prishja e shkallëve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme mbi trotuar.

Nisma për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.

E nisur në korrik 2025, ajo është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.

Shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e dedikuar për këtë qëllim “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 19 309 raste të denoncuara, nga të cilat janë zgjidhur 14 895 raste, ndërsa 4414 të tjera janë në proces shqyrtimi.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›