MV – Rutte: Nuk do të lejojmë një boshllëk sigurie në Ballkanin Perëndimor

SHKUP, 3 mars /ATSH/ – Sekretari i Përgjithshëm I NATO-s Mark Rutte, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, deklaroi gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova se aleanca nuk do të lejojë një “boshllëk sigurie në rajon”, sipas agjencisë BGNES.
“Angazhimi ynë për stabilitetin rajonal është i qartë. Ne nuk do të lejojmë të krijohet një boshllëk sigurie. NATO është e përkushtuar të mbrojë të gjithë aleatët e saj, pavarësisht se nga vijnë sfidat. Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për Aleancën tonë. E di që mund të llogarisim tek Maqedonia e Veriut për të dhënë kontributin e saj”, tha Rutte.
Siljanovska-Davkova theksoi se në këtë moment, dhe pikërisht për këtë arsye Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ndodhet në vend, është e nevojshme që brenda Aleancës të tejkalohen dallimet ose të harmonizohen qëndrimet për të siguruar kohezion të bazuar në vlerat dhe parimet e përbashkëta mbi të cilat është themeluar NATO.
Ajo shprehu bindjen se NATO nuk është thjesht një aleancë ushtarake, por një komunitet me përgjegjësi të përbashkëta dhe, mbi të gjitha, me një vizion të përbashkët, duke theksuar se vendi mbetet një anëtar i përgjegjshëm i aleancës.
“Si një aleat i besueshëm, ne po zbatojmë planin e investimeve në mbrojtje. Nuk bëhet fjalë vetëm për përqindje dhe shifra, por për investime në mbrojtjen dhe sigurinë tonë të përbashkët. Ne kontribuojmë aktivisht në qëndrimin mbrojtës të NATO-s dhe kështu tregojmë se siguria është përgjegjësi e përbashkët”, shtoi presidentja.
“Garancia më e madhe për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor është integrimi i menjëhershëm dhe i plotë në Bashkimin Evropian”, theksoi Siljanovska-Davkova . “Samiti i ardhshëm i NATO-s në Ankara duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë situatës së sigurisë në rajon në dritën e sfidave aktuale”, shtoi ajo.
“Duhet t’u japim fund arsyeve artificiale dhe pengesave të bazuara në identitet për anëtarësimin në BE dhe të përqendrohemi në kriteret e Kopenhagës. Investimi dhe garancia më e madhe jo vetëm për sigurinë tonë, por për sigurinë e Evropës në tërësi, është anëtarësimi ynë dhe anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE”, theksoi Siljanovska-Davkova.
“Maqedonia e Veriut është një aleat besnik i NATO-s dhe kontribuon në sigurinë në krahun lindor të Aleancës, përfshirë pjesëmarrjen në formacione në Bullgari dhe Letoni”, deklaroi Rutte.
“Ajo shpenzon më shumë se 2% të PBB-së për mbrojtjen, që është një përparim i rëndësishëm, dhe është e angazhuar të arrijë 5%, siç është premtuar. Ne duhet të rrisim kontributet tona për mbrojtjen dhe të financojmë plotësisht aktivitetet e NATO-s. Dua të mirëpres mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën”, shtoi Rutte.
Ai theksoi nevojën për bashkëpunim në mbështetje të sigurisë së përbashkët dhe vuri në dukje se Maqedonia e Veriut luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. /Ad.Ab./