Institucionet e drejtësisë raportojnë të hënën në Kuvend, Bardhi: Shmangni çdo provokim

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Kuvendi do të mblidhet të hënën në orën 10:00 në seancë plenare.
Në rend të ditës janë dy projektvendime, ai për “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore” dhe ai për “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë për Reformën Administrativo–Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.
Gjithashtu në rend të ditës janë edhe raportimet vjetore të institucioneve të drejtësisë.
Kështu Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela do të prezantojë raportin mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024.
Më pas kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani do të prezantojë raportin mbi veprimtarinë e SPAK për vitin 2024.
Po ashtu, do të prezantohet edhe raporti i veprimtarisë vjetore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2024 nga ILD, Artur Metani.
Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi do të prezantojë më pas raportin mbi gjendjen e Sistemit Gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2024.
Gjithashtu, Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani do të prezantojë raportin e veprimtarisë vjetore të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2024.
Koha për debat pas çdo raportimi do të jetë 150 minuta e shpërndarë në mënyrë përpjesëtimore ndërmjet grupeve parlamentare. Për raportimet e këtyre institucioneve pritet të miratohen edhe rezolutat përkatëse nga Kuvendi.
Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi që të shmangë provokimet ndaj opozitës dhe të zbatojë Rregulloren.
Në shkresën e tij, Bardhi konfirmon se grupi parlamentar i PD do të marrë pjesë në debatet parlamentare mbi raportimet e institucioneve të pavarura kushtetuese, duke kërkuar që të respektohet koha prej 150 minutash për secilin raportim, ashtu siç është rënë dakord në Konferencën e Kryetarëve.
Sipas grupit të PD, “çdo ndryshim i njëanshëm nga Kuvendi i të drejtave të deputetëve të pakicës, apo interpretimit 34-vjeçar të Rregullores së Kuvendit, është atentat ndaj parlamentarizmit dhe asgjësim i të drejtave të opozitës parlamentare, dhe për pasojë është dhe do të jetë i papranueshëm për deputetët e opozitës”.
Në fund, grupi i PD i kërkon Kryetarit të Kuvendit që në ushtrim të përgjegjësive të tij, të marrë masa për normalizimin e jetës parlamentare dhe të ndalë menjëherë nga aktet provokative ndaj opozitës dhe sjelljes së saj krejtësisht konstruktive në Kuvendin e Shqipërisë.
/gj.m/a.f/r.e/
