Integrimi në BE, takim ndërinstitucional për Kapitullin 23 negociues

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Ministria e Drejtësisë zhvilloi sot takimin ndërinstitucional të Grupit të Punës për Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, nën drejtimin e zëvendësministrit të Drejtësisë dhe negociatorit për Kapitullin 23, Tedi Dobi, si dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Integrimit dhe Negociatave.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga institucionet e pavarura të drejtësisë, institucionet kushtetuese dhe ministritë e linjës, të cilët diskutuan mbi stadin aktual të përgatitjeve të Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë diskutimeve u analizua ecuria e zbatimit të piketave të ndërmjetme për Kapitullin 23, organizimi i takimeve monitoruese dhe raportuese me shërbimet e Komisionit Evropian, si dhe hapat e ardhshëm në përmbushjen e angazhimeve të vendit në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Në fjalën e tij, zëvendësministri Dobi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, si një faktor kyç për forcimin e shtetit të së drejtës dhe funksionimin efikas të institucioneve demokratike.
Si institucion lider për Kapitullin 23 dhe Funksionimin e Institucioneve Demokratike, Ministria e Drejtësisë vijon angazhimin e saj për përmbushjen e detyrimeve dhe objektivave të ndërmjetme, në mënyrë që Shqipëria të avancojë me sukses në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
/r.e/a.f/