Interi në “hall”, Dumfris mund të largohet

Te Interi duket se problemet këtë vit nuk kanë fund. Pas deklaratave të forta të Lautaro Martinez mbi Çalhanoglu, tashmë një tjetër lojtar rrezikon të largohet nga zikaltrit.
Bëhet fjalë për mbrojtësin holandez, Denzel Dumfries.
“La Gazzeta Dello Sport” shkruan se në kontratën e tij është parashikuar një klauzolë prej 30 milionë eurosh, e aktivizueshme deri në mesin e muajit korrik. Një shumë relativisht e ulët duke parë kontributin që holandezi ka dhënë për skuadrën gjatë sezonit që sapo u mbyll, dhe që mund të tundojë disa klube të mëdha në Europë.
Një largim i mundshëm i mbrojtësit të djathtë nuk do të ishte aspak i lehtë për t’u menaxhuar, edhe pse aktualisht nuk ka sinjale konkrete në këtë drejtim.
Kur ai ka munguar, Interi ka pësuar një rënie të dukshme, si për shkak të mungesës së alternativave cilësore në krahun e djathtë, ashtu edhe sepse ish-lojtari i PSV-së është kthyer tashmë në element vendimtar si në fazën ofensive, ashtu edhe në atë mbrojtëse, falë fuqisë së tij fizike, që e bën dominues ndaj kundërshtarëve.
Zëvendësuesin e tij, Interi e ka teorikisht në shtëpi, por Luis Henrique për momentin nuk duket të jetë ai që mendohej. Për më tepër, ai ka treguar se është më i gjallë dhe më i përfshirë në lojë kur luan në të majtë, sesa kur aktivizohet në krahun e djathtë.