Invalidët e punës probleme me informalitetin, 3220 të dëmtuar në punë, kërkohen ndryshime të menjëhershme ligjore

Shoqata e invalidëve numëron gjithsej 3220 individë të aksidentuar në vendet e punës, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë meshkuj.
Një pjesë e problematikave që kjo shoqatë paraqet sot, ka të bëjë me informalitetin në punë. Rastet e të aksidentuarve në punë referuar viteve të fundit nuk janë reflektuar siç duhet, pasi pjesa më e madhe e individëve nuk kanë përfituar pension invaliditeti prej punës në të zezë.
“Shumica e personave që punojnë sot edhe në të zezë kanë punuar dhe punojnë prapë në të zezë disa persona, aksidentohet pronari e gënjen edhe përfundimisht nuk merr raportin mjekësor sepse nuk është i siguruar se punon të zezë. Sistemi, ligji para 90-ës kush kishte një vit, dy vjet punë e përfshinte”, u shpreh Ziver Troci, Zv. President i Shoqatës së Invalidëve të Punës.
Troci, i cili është vetë një invalid pune, pas aksidentit në minierë thotë se vështirësitë që kjo kategori ka janë të shumta, duke kërkuar më shumë vullnet institucional dhe qytetar.
“Asnjë ndërmarrje nuk e bën këtë punë. Pse? Një roje mund ta bëj dhe unë. Një roje mund ta bëj dhe tjetri. E ka pasur invalid dhe ka heq. Pra është diskriminim. Ka hequ të gjithë tabelat nëpër rrugë të invalidve të punës. Ti ligjin e ke si bëhet”, tha ai.
Thirrja për reflektim nga kjo kategori shoqërore mbetet e hapur, që puna të mos jetë më një rrezik për jetën, por një garanci për të ardhmen.
Gazetare: E. Hasanbelli
/rtsh.al/